Meriton Korenica po e forcon gjithnjë e më shumë pozitën e tij te FCSB-ja. Paraqitja e fundit dhe goli kundër Petrolulit i kanë sjellë futbollistit kosovar vlerësime të shumta në Rumani.
Të lidhura
None found
29-vjeçari kaloi te klubi nga Bukureshti gjatë afatit të fundit kalimtar, pasi u largua nga CFR Cluj. Për shërbimet e tij kishte shfaqur interesim edhe Universitatea Craiova, por Korenica vendosi t’i bashkohej kampionit të Rumanisë, ku tashmë ka filluar të lërë shenjë.
Mihai Stoica, zyrtar i FCSB-së, dha hollësi rreth transferimit dhe shpjegoi përse mendon se lojtari nga Kosova preferoi skuadrën e tij para Craiovës.
“Korenica është një futbollist shumë cilësor. Që në momentin kur e pashë te CFR Cluj, krijova një përshtypje shumë të mirë për të. Ai dhe Emerllahu më dukeshin lojtarët më të spikatur. Për nga karakteristikat, Korenica më kujton Cisottin. Një vit më parë ishte tepër e vështirë ta merrje nga CFR Cluj”, tha Stoica.
Zyrtari rumun u ndal më pas edhe te gara me Universitatea Craiova për transferimin e 29-vjeçarit.
“Kësaj radhe përfituam edhe nga problemet që ekzistonin atje. Kur një futbollist duhet të vendosë ndërmjet nesh dhe Craiovës, është disi më e vështirë që zgjedhja e tij të jetë Craiova. Edhe ata e kërkonin Korenicën, por me sa duket dëshira e tij ishte FCSB-ja”, shtoi ai.
Stoica foli me nota pozitive edhe për mënyrën se si Korenica është integruar në ekipin e ri.
“Nuk ka dyshim se është lojtar i mirë dhe besoj se ndihet rehat këtu. Ka luajtur në çdo pozicion dhe do të aktivizohet edhe për ne. Mjafton të jetë i shëndetshëm”, u shpreh zyrtari i FCSB-së.
Korenica: E kisha për detyrë të shënoja
Në barazimin 2-2 me Petrolulin, Korenica realizoi golin e parë për FCSB-në. Megjithatë, rrjeta e tij nuk i mjaftoi ekipit nga Bukureshti për ta mbyllur takimin me tri pikë.
Pas përfundimit të sfidës, reprezentuesi i Kosovës vlerësoi se skuadra e tij kishte merituar një rezultat më të mirë se barazimi.
“Besoj se kjo nuk mjafton, sepse meritonim më tepër se vetëm një pikë. Në vazhdim duhet të tregojmë më shumë agresivitet dhe të marrim rezultate më të mira. Krijuam shumë mundësi, por i tillë është futbolli. Shpresoj të paraqitemi më të përgatitur në ndeshjen e ardhshme”, deklaroi Korenica.
Duke analizuar aksionin e golit, ai tregoi se synimi i tij në atë moment ishte i qartë.
“Duhej ta dërgoja topin në rrjetë dhe ta mposhtja portierin, pasi mendimi im i vetëm ishte të shënoja. Nga kjo përballje duhet të nxjerrim mësime dhe të jemi të gatshëm për takimin e radhës”, tha ai.
Korenica u shpreh i kënaqur edhe me ambientin që ka gjetur te FCSB-ja, duke nënvizuar se ndihet shumë mirë në klubin e ri.
“Skuadra jonë ka cilësi. Këtu gjithçka është shumë mirë dhe edhe unë ndihem njësoj. Në çdo ndeshje synoj të jap 100 për qind”, përfundoi futbollisti kosovar.
Vlerësime për paraqitjen e Korenicës kundër Petrolulit dha edhe pronari i FCSB-së, Gigi Becali. Ai theksoi se pret përparim të mëtejshëm si nga kosovari, ashtu edhe nga disa futbollistë të tjerë.
“Është diçka pozitive që po shohim përmirësim dhe që po shohim Muharin e Korenicën, dy futbollistë që do të luajnë si titullarë”, deklaroi Becali.
