Pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, që e dënoi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me 25 vjet burgim, ka reaguar edhe djali i tij, Endrit Thaçi.
Përmes një postimi në Instagram, ai shprehu mirënjohjen për qytetarët dhe mbështetësit që udhëtuan drejt Hagës dhe qëndruan për orë të tëra në pritje të shpalljes së vendimit.
Të lidhura
None found
Endrit Thaçi falënderoi veçanërisht ata që vijuan të protestojnë dhe të shprehin mbështetjen e tyre edhe pas vendimit të gjykatës.
Ai vlerësoi gjithashtu përkrahjen e treguar ndër vite ndaj babait të tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së gjatë procesit gjyqësor.
Djali i Hashim Thaçit bëri të ditur se, sapo të rikthehet në Kosovë, do t’u bashkohet mbështetësve, duke nënvizuar se përballja ligjore ende nuk ka përfunduar.
“Kur të kthehem, do të jem edhe unë pjesë e zërit tuaj. Kjo betejë nuk ka mbaruar. Siç u përball Babai sot me këtë ditë, me kokën lart, edhe ne do të ecim përpara me dinjitet, maturi dhe kokën lart”, deklaroi ai.
Endrit Thaçi theksoi në përfundim se një vendim gjyqësor nuk mund ta ndryshojë historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Historinë tonë e njohim të gjithë. Ushtarët tanë e kanë mbajtur të gdhendur në lëkurë, ndërsa dëshmorët e kanë vulosur me gjakun e tyre. Asnjë vendim nuk mund ta ndryshojë këtë histori”, u shpreh ai.
