Tre persona kanë vdekur pas rrëzimit të një helikopteri në një zonë të banuar në periferi të Los Angelesit, konfirmuan autoritetet lokale të zjarrfikësve.
Të lidhura
None found
Ngjarja ndodhi pak para orës 19:00, sipas kohës lokale, të martën, pranë kryqëzimit të Lurline Avenue me Nordhoff Street, në lagjen Chatsworth.
Sipas një zëdhënësi të Departamentit të Zjarrfikësve të Los Angelesit (LAFD), helikopteri përfundoi mes dy godinave tregtare.
Një person tjetër u dërgua për trajtim në një spital të zonës, por autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion për gjendjen e tij shëndetësore.
Videot e publikuara nga vendi i aksidentit shfaqën dy kontenierë transporti dhe disa automjete të përfshira nga zjarri. Më vonë, zjarrfikësit njoftuan se flakët ishin shuar.
Kapiteni i LAFD, Branden Silverman, tha se një nga viktimat u gjet jashtë helikopterit dhe u shpall e vdekur në vendin e ngjarjes.
Deri tani, autoritetet nuk kanë përcaktuar se sa persona ndodheshin në bord në çastin e përplasjes dhe as kush e drejtonte helikopterin.
Mediat lokale raportuan se mjeti mund të ishte një helikopter lajmesh, i cili ndodhej në atë zonë pranë vendit ku më herët kishte ndodhur një aksident fatal me autobus.
Departamenti i Policisë së Los Angelesit (LAPD) bëri të ditur se helikopteri nuk ishte në pronësi dhe as në përdorim të policisë.
Hetimi për përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të rrëzimit do të drejtohet nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB).
