Partia opozitare maqedonase LSDM akuzon qeverinë e udhëhequr nga Mickoski se, ndërsa familjet përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe paga që nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet, ajo shpenzon miliona euro për spektakle, tendera dhe luks.
Të lidhura
None found
Sipas LSDM-së, çmimi i karburanteve ka kaluar 100 denarë për litër, ndërsa produktet ushqimore shtrenjtohen çdo ditë. Në këtë situatë, qeveria e Mickoskit, të cilin opozita e cilëson si mashtrues, ka miratuar masa të vonuara dhe të paplota, që sipas tyre nuk kanë sjellë asnjë ndikim real në buxhetet familjare.
LSDM deklaron se ka propozuar një paketë masash që synon uljen konkrete të çmimeve, përfshirë heqjen e plotë të akcizës për karburantet dhe reduktimin e TVSH-së nga 18 në 5 përqind.
Opozita thotë se, nëse zbatohen propozimet e saj, një qytetar me pagë mesatare do të mund të blejë deri në 205 litra benzinë më shumë krahasuar me masat e propozuara nga Qeveria. Sipas LSDM-së, kjo do të përbënte një ndihmë të drejtpërdrejtë, e cila do të ndihej menjëherë në familjet.
Partia vlerëson gjithashtu se një ulje e konsiderueshme e çmimeve të karburanteve do të ndikonte në uljen e shpenzimeve të transportit dhe do të krijonte mundësi për lirimin e ushqimeve dhe produkteve të tjera bazë.
