Gjatë protestës së 107-të kundër kryeministrit Edi Rama, një prej protestuesve deklaroi se tubimi ka bërë bashkë shqiptarët. Sipas tij, përgjegjësi kryesor për situatën e vendit është Rama, të cilin e akuzoi se ka nxitur urrejtje.
Protestuesi u ndal edhe te kërcënimi me jetë ndaj gazetarit të News24, Osman Stafa, duke kërkuar që Prokuroria ta hetojë ngjarjen me urgjencë.
Të lidhura
None found
Ai tha se dhuna e ushtruar nga një punonjës policie me uniformë nuk ishte një rast i izoluar dhe se në Shqipëri ka pasur edhe më parë episode ku policia e shtetit është përfshirë në ngjarje të ndryshme. Sipas tij, veprime të tilla lidhen me mënyrën kriminale të drejtimit të kësaj strukture nga një kryeministër i korruptuar.
“Goditja e policit me uniformë na preku të gjithëve. Nuk është hera e parë që policia e shtetit përfshihet në ngjarje të ndryshme dhe as hera e parë që përballemi me policë të papërgjegjshëm që përdorin dhunë. Kjo lidhet me mënyrën kriminale se si drejtohet kjo polici nga një kryeministër i korruptuar.
Kjo protestë i ka bashkuar njerëzit përtej bindjeve politike dhe ne ndodhemi këtu për Shqipërinë. Nuk duhet të harrojmë se, për shkak të partive politike dhe ligjeve që ato kanë miratuar, shqiptarët janë vrarë mes tyre. Por nëse ekziston një nxitës i dhunës dhe urrejtjes në vend, ai është kryeministri Rama.
Mjafton të shohim veprimet e tij të fundit lidhur me një ligj për të cilin Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim. Ai nxit urrejtje ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve vetëm sepse ata kanë dalë kundër tij. Shqipëria dhe qytetarët e saj duhet të bashkohen, pasi vetëm bashkimi na çon përpara. Në këtë shesh duhet të realizojmë synimin tonë për ta ndryshuar Shqipërinë.
Dua të dënoj gjithashtu kërcënimin me jetë ndaj misionarit Osman Stafa. Kjo është një ngjarje e paprecedentë dhe prokurorët duhet ta hetojnë urgjentisht. Rama ka nxitur urrejtje edhe ndaj mësuesve, akademikëve dhe gazetarëve, si dhe ndaj nesh, duke na etiketuar në mënyra të ndryshme. E keqja e këtij vendi është Edi Rama”, u shpreh protestuesi.
