Pas arrestimit në flagrancë të ndihmësdrejtorit të Drejtorisë së Doganave, i dyshuar për marrjen e 17.500 eurove ryshfet, BDI thotë se në opinion është shfaqur një informacion i ri, për të cilin policia duhet të japë përgjigje të menjëhershme.
Të lidhura
None found
Sipas kësaj partie, gjatë arrestimit, menjëherë pas automjetit të personit të arrestuar, ndodhej edhe vetura e zëvendësdrejtorit të Doganave, Mustafa Dauti. BDI kërkon të konfirmohet nëse ky informacion është i saktë.
BDI i kërkon MPB-së të sqarojë publikisht se kush ishte në veturën e zëvendësdrejtorit të Doganave, përse automjeti i tij ndodhej në atë vend dhe në atë moment, si dhe nëse Mustafa Dauti apo personat e tjerë që gjendeshin në veturë janë marrë në pyetje.
Partia kërkon gjithashtu të bëhet e ditur nëse po shqyrtohet mundësia që rasti i 17.500 eurove të ketë lidhje edhe me persona të tjerë në hierarkinë e Drejtorisë së Doganave.
BDI thekson se, kur një zyrtar arrestohet në flagrancë për një tender, hetimi nuk duhet të kufizohet vetëm te personi që ka marrë paratë. Sipas tyre, duhet të përcaktohet i gjithë zinxhiri: kush e organizoi rastin, kush kishte dijeni dhe kush qëndronte pas tij.
“MPB-ja dhe Prokuroria kanë detyrim t’i japin opinionit përgjigje të qarta dhe të plota”, deklaron BDI.
