Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, i ka shprehur mirënjohje Bekim Sejdiut për gatishmërinë e treguar për të marrë përsipër detyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Të lidhura
None found
Përmes një reagimi publik, Osmani ka çmuar mënyrën se si Sejdiu e kaloi gjithë procesin politik, duke nënvizuar se në këtë rrugëtim interesat personale, sipas saj, shpesh u vunë përpara atyre institucionale.
“Bekim Sejdiu meriton falënderim. Jo vetëm për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit, por edhe për mënyrën se si e përballoi një proces ku personalja shpesh u vendos mbi institucionalen”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka deklaruar se dështimi për të zgjedhur Presidentin nuk është e vetmja humbje, pasi Kosova, sipas saj, ka lënë pas edhe një mundësi për të dëshmuar se mund të krijojë pajtim politik rreth personave të ditur, me integritet dhe dinjitet.
“Ndoshta pikërisht këtu qëndron humbja jonë më e madhe: jo vetëm që nuk arritëm të zgjedhim Presidentin, por humbëm edhe një tjetër mundësi për të treguar se në Kosovë mund të ndërtojmë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet”, ka deklaruar ajo.
Osmani është ndalur veçanërisht te qëndrimi i Sejdiut gjatë këtij procesi. Sipas saj, politika, fushatat dhe zgjedhjet janë të përkohshme, ndërsa sjellja e një personi në momente sprove mbetet e rëndësishme.
“Politika kalon. Fushatat mbarojnë. Zgjedhjet përsëriten. Por mënyra se si një njeri sillet kur vihet në sprovë, mbetet”, ka shkruar Osmani.
Në përmbyllje të reagimit, ajo ka theksuar se Sejdiu la pas një dëshmi të karakterit, edhe pse përpjekja e tij politike nuk u kurorëzua me sukses.
“Prandaj, faleminderit Bekim, për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin që tregove deri në fund”, ka përfunduar Osmani.
