Emma Bonino, politikania dhe aktivistja italiane që për vite me radhë mbështeti Kosovën gjatë luftës dhe në periudhën pas saj, ka vdekur në moshën 78-vjeçare.
Të lidhura
None found
Partia e saj, “Më shumë Evropë”, njoftoi të premten se Italia ka humbur “jo vetëm lideren tonë, por edhe një prej figurave më largpamëse, guximtare e të lira në historinë politike të shtetit tonë”.
Bonino ishte ndër zërat që përkrahu ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999. Gjatë asaj kohe, ajo vizitoi refugjatët kosovarë në shtetet përreth dhe, më 9 maj të atij viti, qëndroi në Shkup në cilësinë e komisioneres së Bashkimit Evropian për ndihmat humanitare.
Prej Shkupit, ajo tërhoqi vëmendjen për përmasat e krizës në Kosovë, duke deklaruar: “Janë të paktën 690 mijë të zhvendosur, që nënkupton se një bombë njerëzore është mbushur dhe mund të shpërthejë në çdo kohë”. Bonino po ashtu denoncoi faktin se autoritetet jugosllave të asaj kohe kishin penguar hyrjen e kosovarëve në Maqedoni për katër ditë.
Edhe pas përfundimit të luftës, ish-komisionerja evropiane vazhdoi ta mbështeste Kosovën. Në vitin 2013 ajo vizitoi vendin dhe gjatë një konference për shtyp u zotua se do të përkrahte procesin për heqjen e vizave.
Në skenën ndërkombëtare, Bonino do të kujtohet gjithashtu si politikania radikale italiane që udhëhoqi fushatat për legalizimin e abortit dhe divorcit, përballë kundërshtimit të Vatikanit.
Partia “Më shumë Evropë” e përshkroi rrugëtimin e saj politik si “një rrëmujë kundër gjithçkaje që mohonte lirinë: kundër aborteve klandestine, kundër urisë, zgjedhjes së politikës partiake, gjymtimit të organeve gjenitale femërore, drejtësisë ndëshkuese, gjenocidit dhe çdo forme autoritarizmi”.
