Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat dhe deklaratën e tij se kishte shqyrtuar mundësinë e dorëheqjes.
Gjatë bisedës me gazetaren Rudina Xhunga, në podcastin e tij “Flasim”, ai tha se pakënaqësitë e shfaqura nga qytetarët e kanë bërë të reflektojë mbi transformimet e shoqërisë shqiptare dhe pritshmëritë gjithnjë e më të mëdha ndaj qeverisjes.
Të lidhura
None found
Duke iu referuar dorëheqjes, Rama u shpreh: “Mbase vjen momenti për ta shpjeguar”. Për ta ilustruar, ai përmendi edhe një kryetar bashkie që, megjithëse kishte realizuar investime për komunitetin, ishte përballur sërish me pakënaqësinë e banorëve.
Sipas kryeministrit, ky reagim nuk përbën medoemos mungesë mirënjohjeje, por lidhet me mënyrën se si kanë ndryshuar kërkesat e qytetarëve.
Rama kujtoi se dikur votat fitoheshin edhe përmes ndërhyrjeve të thjeshta, si hedhja e çakullit në një lagje. Ndërsa një rrugë, shkollë apo sistem ndriçimi i ri shoqërohej me duartrokitje dhe mirënjohje të dukshme, sot situata është ndryshe. “Sa më shumë vendi ecën, aq më shumë qytetari është i prirur të thotë ‘po kjo tjetra?’”, tha ai.
Kryeministri pranoi se në fillim nuk e kishte parashikuar dhe as kuptuar menjëherë këtë ndryshim.
Ai shpjegoi se më pas nisi të ndiqte sinjalet, t’i analizonte ato dhe të kuptonte më mirë pasqyrimin që i vinte nga shoqëria. Sipas Ramës, pikërisht këtu nis sprova e vërtetë për një lider apo drejtues: të ketë krenarinë, të drejtën dhe kurajën për të pranuar se mund të ketë të drejtë edhe ai që e sfidon.
Këtë zhvillim Rama e përkufizoi si “revolucioni i pritshmërive të larta”, pasi çdo përmirësim në një shërbim sjell kërkesa të reja nga qytetarët.
“Është një ndryshim i stinës së Shqipërisë”, tha kryeministri, duke sjellë shembullin e furnizimit me ujë: një qytet që më parë kishte vetëm dy orë ujë në ditë, pasi kalon në 14 orë, kërkon furnizim 24 orë.
Gjatë një pjese tjetër të intervistës, Rama u ndal te roli i teknologjisë dhe profileve jo reale në ndërtimin e narrativave që qarkullojnë në rrjetet sociale. Në këtë kuadër, ai iu referua edhe debatit të krijuar rreth projektit të investimit në Sazan.
Sipas tij, disa llogari krijohen artificialisht dhe paraqiten si profile të përdoruesve të vërtetë, me synimin për t’u dhënë zë narrativave të ndryshme. “Ata nuk ishin, ata nuk ekzistojnë. Ata janë të krijuar në laborator dhe i japin zë narrativave të ndryshme”, deklaroi Rama.
