Ligjëruesi i shkencave politike, Valon Murati, ka kritikuar zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, duke i cilësuar ato si pjesë të një klime populiste. Sipas tij, temat që lidhen me Listën Serbe dhe komunitetin serb po përdoren për të penguar krijimin e institucioneve.
Të lidhura
None found
Në emisionin FIVE të TV Dukagjini, Murati deklaroi se fjalimi i deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, gjatë propozimit të Sllavko Simiqit për postin e nënkryetarit të Kuvendit, nuk mund të përdoret si bazë për zgjatjen e bllokadës institucionale.
Ai tha se kjo situatë i ka shërbyer më shumë partisë në pushtet dhe përfaqësuesve të saj, të cilët, sipas tij, po gjejnë një arsye shtesë për ta vazhduar pengimin e procesit dhe për ta mbajtur vendin në një gjendje “jo-kushtetuese”.
“Jemi brenda një konteksti populist që po e përjetojmë. Nuk ka asgjë që na pengon të ecim përpara me konstituimin e institucioneve. Për partinë në pushtet dhe përfaqësuesit e saj kjo është një arsye më shumë për ta vazhduar bllokadën dhe për ta rënduar këtë gjendje jo-kushtetuese”, ka thënë Murati.
Sipas tij, çështjet që kanë të bëjnë me Serbinë dhe serbët mund të shndërrohen vazhdimisht në mjete të diskursit nacionalist e populist në Kosovë.
Murati vlerësoi se, pavarësisht se qëndrimet e Listës Serbe janë të njohura, ato nuk duhet ta ndalojnë formimin e institucioneve të Kosovës.
“E kemi theksuar shumë herë në këtë studio se sa e domosdoshme është ta zgjidhim çështjen me Serbinë, sepse raportet me Serbinë dhe me serbët do të vazhdojnë të jenë pjesë e diskursit tonë nacionalist dhe populist. Kjo përdoret për t’i bllokuar proceset normale në vend. Për Listën Serbe i njohim qëndrimet, por institucionet nuk mund të mbahen peng”, ka shtuar ai.
Ai tha se debati i fundit ka larguar vëmendjen nga burimi fillestar i krizës politike.
Murati pretendoi se përplasja rreth deklaratës së Listës Serbe tregoi qartë, sipas tij, se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka interes që institucionet të konstituohen.
“Mund të fokusohemi te një deklaratë, e cila mund të ketë qenë edhe provokuese, por pyetja kryesore është nëse më e rëndësishme është konstituimi i institucioneve apo kapja pas kësaj deklarate. Kjo e mbuloi shkakun fillestar të natyrës populiste dhe, sipas meje, u bë e qartë se zoti Kurti aktualisht nuk është i interesuar për konstituimin e institucioneve të vendit”, ka deklaruar Murati.
Reagimet e tij pasuan vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, ku Albulena Haxhiu u zgjodh sërish në krye të Kuvendit me 62 vota. Megjithatë, procedura mbeti e bllokuar te zgjedhja e nënkryetarëve.
Debati mes subjekteve politike u përqendrua edhe te mënyra e votimit për nënkryetarët. Polemika u shtua pas formulimit të përdorur nga Igor Simiq gjatë paraqitjes së kandidaturës së Listës Serbe.
Seanca u shty për të premten, ndërsa Aleanca, e cila përfaqësohet me shtatë deputetë, nuk mori pjesë në të.
