Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, deklaroi këtë të mërkurë në një intervistë me Mirela Milorin në Euronews Albania se ngjarja e një dite më parë, ku disa protestues ndoqën dhe fyen deputeten Iris Luarasi, përbën një rast shqetësues. Sipas tij, Briseida Çakërri dhe Luarasi u ndaluan me forcë teksa po largoheshin nga parkimi i një qendre tregtare, duke iu cenuar edhe liria e lëvizjes.
Braçe e përshkroi valën e sulmeve si një shfaqje të “fashizmit të ri”, që prek drejtpërdrejt të drejtën e individit për të bërë zgjedhjen e tij politike. Ai tha gjithashtu se reagimi i Partisë Socialiste ndaj këtyre episodeve ka qenë i vonuar.
Të lidhura
None found
Deputeti socialist nënvizoi se sjellje të tilla nuk mund të pranohen, pasi ekziston rreziku që ato të normalizohen dhe të përdoren si mënyrë për goditjen e individëve.
“Të dyja janë ndaluar në dalje të parkimit të qendrave tregtare ‘Toptani’ dhe janë sulmuar në mënyrë të dhunshme, barbare. Atyre u është kufizuar liria e lëvizjes dhe më pas janë dëmtuar edhe automjetet e tyre, pra prona e tyre. Sulmi nuk ishte vetëm ai që u pa dhe që mori kaq shumë jehonë, i dhunshëm, i turpshëm dhe i neveritshëm, ndaj zonjës Luarasi, por ka vijuar edhe me dy deputete të tjera”, u shpreh Braçe.
Ai shtoi se fashizmi nuk duhet kuptuar vetëm përmes elementëve që lidhen me përdorimin e armëve. Sipas tij, deklaratat se këto gra kanë bërë “zgjedhjen e gabuar historike” janë shenja të një forme të re fashizmi. Braçe theksoi se zgjedhja politike është personale dhe se, në një vend të lirë, askush tjetër nuk mund të vendosë për pozicionin politik të një individi.
“Mos e merrni Kosovën si shembull. Zgjedhja ime politike është e imja dhe unë jetoj në një vend të lirë, ku duhet ta përcaktoj vetë qëndrimin tim. Pozicionin tim nuk ma cakton as Adriatik Lapaj, as Agron Shehaj, as Alind Qori dhe as dikush tjetër, me parti apo pa parti. Bëhet fjalë për një dukuri që po përsëritet dhe vetëm sot Partia Socialiste reagoi ndaj saj. Këto janë shenjat e para të një fashizmi që cenon drejtpërdrejt lirinë e zgjedhjes individuale dhe shkon deri në linçimin e njerëzve për shkak të bindjeve dhe lirisë së tyre politike”, tha ai.
