Pep Guardiola e shihte Marcus Rashfordin si një talent të jashtëzakonshëm që në hapat e parë të sulmuesit anglez dhe, sipas rrëfimit të Ryan Giggs, do ta kishte afruar pa hezitim te Manchester City.
Të lidhura
None found
Legjenda e Manchester Unitedit ka treguar për një bisedë që pati me trajnerin spanjoll gjatë një darke të organizuar nga Sir Alex Ferguson, rreth tetë apo nëntë vjet më parë.
Asokohe, Rashford sapo kishte nisur të krijonte emër në futboll, ndërsa Guardiola kishte marrë drejtimin e Manchester Cityt.
Giggs, i cili ishte pjesë e stafit të Louis van Gaalit kur sulmuesi debutoi me Unitedin në shkurt të vitit 2016, e pyeti Guardiolën se cilin futbollist të “Djajve të Kuq” vlerësonte më shumë.
Ish-futbollisti u rikthye te kjo bisedë gjatë emisionit “Rio Ferdinand Presents: The Debrief”.
“E pyeta: ‘Cilin lojtar e pëlqen te Unitedi?’”, tregoi Giggs.
Guardiola nuk iu përgjigj menjëherë, por i kërkoi Giggsit të hamendësonte vetë emrin e lojtarit.
Giggs mendoi se bëhej fjalë për David de Gean ose Luke Shaw, por trajneri spanjoll kishte një zgjedhje tjetër në mendje.
“Ai tha: ‘Lojtari më i mirë te Manchester Unitedi është Marcus Rashford. Do ta merrja që nesër’”.
Giggs tha se mbeti i habitur nga ky vlerësim, veçanërisht sepse në atë periudhë Rashford po spikaste kryesisht në rolin e qendërsulmuesit.
“Çfarë po sheh Guardiola?”, kujtoi Giggs se kishte menduar në atë moment.
Rashford ishte shfaqur në skenën e futbollit pasi zëvendësoi Anthony Martialin e dëmtuar dhe shumë shpejt u konsiderua një prej talenteve më premtuese të Manchester Unitedit.
