Gazetarja Klodiana Lala ka raportuar për zhvillimet e fundit të aksionit të SPAK, gjatë të cilit janë sekuestruar pasuri në zonën e Palasës, që dyshohet se lidhen në mënyrë të tërthortë me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në News24, Lala tha se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka ndërmarrë lëvizje të reja, duke e rënduar më tej pozitën e Ballukut.
Të lidhura
None found
Sipas saj, vendimi për sekuestrimin e pasurive është firmosur nga prokurori Erion Çela. Deri tani, SPAK nuk ka dhënë sqarime se cilat janë pasuritë e sekuestruara dhe mbi çfarë baze është përcaktuar se ato kontrollohen në mënyrë të tërthortë nga Balluku.
Lala bëri të ditur se në të njëjtën zonë janë sekuestruar më herët edhe pasuri të tjera, ndërsa prova të rëndësishme dyshohet se janë gjetur në disa celularë. Oficerët e BKH-së po vijojnë procedurat për sekuestrimin e pasurive, të cilat më pas pritet të bllokohen.
SPAK po heton Ballukun për korrupsion në lidhje me Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e re. Më herët, autoritetet sekuestruan edhe një vilë luksoze në Dhërmi, e cila dyshohet se i përket asaj.
“Deri më tani nuk ka informacione nëse do të ketë një kërkesë të re për arrestimin e Ballukut, ndërsa zoti Braho nuk e ka përjashtuar. Në hetime janë edhe disa biznesmenë, të cilët dyshohet se bashkëpunonin me Ballukun për fshehjen e pasurisë. Vila në fjalë dyshohet se është ndërtuar nga Balluku gjatë periudhës kur ajo punonte në Albcontrol”, u shpreh Lala.
