Norvegjia zhvilloi sot ceremoninë e lamtumirës për Mbretin Harald V, i cili ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare, pas 35 vitesh në fron.
Të lidhura
None found
Që në orët e para të ditës, qytetarë të shumtë u mblodhën pranë Katedrales së Oslos për të nderuar monarkun e ndjerë, ndërsa ceremonia mortore u zhvillua në kryeqytet.

Arkivoli u përcoll gjatë një procesioni prej rreth 1.5 kilometrash, i cili nisi nga Pallati Mbretëror dhe përfundoi në Katedrale. Më pas, ai do të dërgohet në Kalanë e Akershus, ku do të mbahet një ceremoni private dhe varrimi do të kryhet në Mauzoleun Mbretëror.
Në ceremoninë mortore marrin pjesë anëtarë të familjeve mbretërore europiane, si dhe delegacione shtetërore. Ndër të pranishmit janë Princi i Uellsit, William, Princesha Anne, Mbreti Frederik X dhe Mbretëresha Mary e Danimarkës, si edhe Mbreti Carl XVI Gustaf dhe Mbretëresha Silvia e Suedisë.

Holanda përfaqësohet nga Mbreti Willem-Alexander, Mbretëresha Maxima, Princesha Amalia dhe ish-Mbretëresha Beatrix. Në Oslo ndodhet gjithashtu Pavlos De Gres, ndërsa Greqia përfaqësohet nga Presidenti Konstantinos Tasoulas.
Në mesin e të ftuarve janë edhe përfaqësues nga Shqipëria, Gjermania, Lituania, Moldavia, Estonia, Kanadaja, Sllovenia, Republika Çeke, Letonia, Finlanda, Islanda, Gjeorgjia, Polonia, Irlanda dhe Hungaria.
Një ditë pas vdekjes së Harald V, djali i tij, Mbreti i ri Haakon VIII, kujtoi të atin duke e cilësuar si një baba të mirë, një gjysh të dashur dhe një bashkëshort të përkushtuar ndaj Mbretëreshës Sonja.

Harald V dhe Mbretëresha Sonja do të shënonin 58-vjetorin e martesës së tyre vetëm një ditë pas ndarjes së tij nga jeta.
Mbreti i ri u shpreh se i ati kishte qëndruar gjatë gjithë jetës besnik ndaj vlerave dhe përgjegjësive të tij, duke qenë një figurë me rëndësi për familjen dhe vendin.
Pas ceremonisë në Oslo, do të zhvillohet ceremonia private e varrimit në Mauzoleun Mbretëror të Kalasë Akershus.
