Trajneri Hansi Flick ka shprehur bindjen se skuadra e tij aktuale e Barcelonës zotëron armët e duhura për t’i dhënë fund pritjes 11-vjeçare për Ligën e Kampionëve, duke e rikthyer këtë trofe të lakmuar në “Camp Nou”.
Të lidhura
None found
Deklaratat e teknikut gjerman erdhën pak para ndeshjes së parë të katalanasve në këtë edicion të kompeticionit, ku ata do të presin Feyenoordin në shtëpi, duke synuar një start të fuqishëm në rrugëtimin evropian.
Flick e sheh këtë si një mundësi për të harruar zhgënjimin e sezonit të shkuar 2024/25, kur skuadra e tij u ndal në gjysmëfinale nga Interi, pas një humbjeje të përgjithshme dramatike 7-6.
Ai që e drejtoi Barcelonën drejt lavdisë së fundit evropiane ishte Luis Enrique, i cili së fundi ka fituar dy herë rresht Champions-in me Paris Saint-Germain, por suksesi i tij me katalanasit tashmë daton 11 vjet më parë.
Megjithatë, pas titullit të dytë radhazi në La Liga sezonin e kaluar dhe një nisjeje të përkryer të këtij edicioni me katër fitore në po aq ndeshje, trajneri shpreson se ekipi mund të shkojë deri në fund edhe në arenën kontinentale.
“Mendoj se, në thelb, këtë e ëndërrojnë të gjitha klubet e mëdha. Ne kemi cilësinë e nevojshme për ta arritur, por rruga është ende e gjatë”, u shpreh Flick.
“Kemi në skuadër shumë lojtarë me përvojë të madhe. Secili e ka për detyrë të kontribuojë për t’i fituar të gjitha trofetë”, shtoi ai.
Sipas parashikimeve të superkompjuterit të Optas, gjasat e Barcelonës për të triumfuar në Champions janë rreth 9 për qind. Përpara katalunasve në këtë renditje gjenden vetëm Manchester City me 12 për qind, Bayern Munich me 19 për qind dhe Arsenali me 21 për qind.
Sfida kundër Feyenoordit shënon herën e 21-të që Barcelona e nis një edicion të Ligës së Kampionëve në shtëpi. Në 20 rastet e mëparshme, bilanci është tepër pozitiv: 18 fitore, një barazim dhe një humbje e vetme, kjo e fundit e pësuar ndaj Bayern Munichut në sezonin 2021/22, kur bavarezët fituan 3-0.
Vetë Flick mburret me shifra mbresëlënëse në këtë kompeticion. Në mesin e trajnerëve me të paktën 10 ndeshje të drejtuara, ai ka përqindjen më të lartë të fitoreve, 72.7 për qind, dhe mesataren më të mirë të golave për takim, me tre gola.
Që nga ardhja e tij në krye të ekipit në vitin 2024, Barcelona ka shënuar mesatarisht 2.88 gola për ndeshje në këtë garë, duke realizuar 75 gola në 26 takime – më shumë se çdo skuadër tjetër në këtë periudhë.
Edhe starti i këtij sezoni në La Liga ka qenë i përsosur, me katër fitore nga katër ndeshje. Në përballjen e fundit, katalunasit shkatërruan Valencian 5-0, me protagonistë të rinjtë Fermin Lopez dhe Lamine Yamal.
