Nico Williams ka kundërshtuar shpjegimet e përfaqësuesit të tij për transferimin e parealizuar te Barcelona, duke thënë se zgjedhja për të vazhduar te Athletic Bilbao ishte e tij dhe e familjes.
Sulmuesi spanjoll është përfolur vazhdimisht për një kalim te klubi katalanas, por zgjodhi të qëndrojë në San Mames. Fjalët e fundit të agjentit të tij, Felix Tainta, kanë rihapur diskutimin rreth negociatave të vitit 2024 dhe arsyeve pse ato nuk përfunduan me marrëveshje.
Të lidhura
None found
Tainta kishte thënë se problemet financiare të Barcelonës dhe rregullat e “fair-play”-it financiar patën ndikim të madh. Sipas tij, lojtari kërkonte siguri se do të mund të regjistrohej dhe të luante për ekipin katalanas.
“Në negociata vjen një çast kur Nico nuk mund të mbetet pa luajtur. Nico është një makinë e Formula 1”, ishte shprehur agjenti.
Williams, megjithatë, nuk e pranoi këtë përshkrim të situatës dhe këmbënguli se vendimi përfundimtar i takonte atij dhe familjarëve të tij.
“Vëllai im ishte i qartë në atë që tha. Është e vështirë kur emri yt përfshihet në gjëra të tilla. Felixi ka gabuar me fjalët që ka thënë; gjërat nuk janë ashtu”.
“Vendimin përfundimtar e marrim unë, vëllai im dhe familja”, deklaroi Williams pas fitores së Athletic Bilbaos ndaj Getafes, raportoi Diario SPORT.
Futbollisti 23-vjeçar tha se nuk kishte pasur asnjëherë dyshime për dëshirën e tij për të qëndruar në klubin bask, edhe pse kishte pasur oferta të shumta.
“Dua të jem këtu dhe kjo nuk duhet vënë në dyshim. I kam thënë jo Barcelonës, Arsenalit, PSG-së dhe shumë klubeve të tjera, sepse dëshiroja të qëndroja këtu. Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë”.
Ai foli edhe për reagimet kritike në rrjetet sociale, duke vënë në dukje se ato nuk tregojnë medoemos realitetin apo marrëdhënien e tij me tifozët.
“Rrjetet sociale nuk janë jeta reale. Unë qëndroj pranë njerëzve që vijnë në Lezama. Ka shumë fëmijë që duan të bëhen si unë dhe më shohin si shembull, sepse dëshiroj të jem figurë e rëndësishme për ta”.
Nico Williams e ka shprehur përkushtimin ndaj Athletic Bilbaos edhe përmes nënshkrimit të një kontrate të re, e cila e lidh me klubin deri në qershor të vitit 2035.





