Gjenerata e ardhshme e BMW Serisë 3 është pranë përfundimit të zhvillimit dhe, sipas planit, do të vazhdojë të jetë e disponueshme me motorë me katër dhe gjashtë cilindra.
Të lidhura
None found
Në krye të gamës sportive do të pozicionohet M350 xDrive, i cili do të marrë vendin e M340i. Ky version do të përdorë një motor turbo 3.0-litërsh me gjashtë cilindra në linjë, të kombinuar me sistemin mild-hybrid 48 volt.
Falë kësaj pakete teknologjike, fuqia e prodhuar do të arrijë në 443 kuaj fuqi, ndërsa çifti rrotullues do të jetë 580 Nm.
Sipas BMW-së, përshpejtimi nga 0 në 100 km/h do të kryhet për 4.1 sekonda. Shpejtësia maksimale do të jetë e kufizuar elektronikisht në 250 km/h.
Një risi e veçantë për M350 xDrive do të jetë “Drift Moment”, funksioni që lejon kalimin e fuqisë vetëm te rrotat e pasme.
Aktivizimi i këtij opsioni pritet të bëhet përmes një përditësimi online të softuerit, i cili parashikohet të lëshohet gjatë vitit të ardhshëm.
Gama e re e Serisë 3 nuk do të kufizohet vetëm te ky variant, pasi do të përfshijë edhe versione më pak të fuqishme me katër cilindra, si dhe të paktën një model me motor dizel.
Prodhuesi gjerman pritet të punojë gjithashtu për një variant plug-in hybrid, i cili do të vendoset ndërmjet modeleve me motor me djegie dhe atyre plotësisht elektrike. /Telegrafi/
