Kuvendi i Partisë GUXO ka vendosur që Faton Peci të jetë kryetari i ri i kësaj force politike.
Të lidhura
None found
Pas zgjedhjes, Peci deklaroi se e pranon përgjegjësinë me përulësi dhe mirënjohje, duke nënvizuar se GUXO është themeluar për një kauzë dhe jo për sigurimin e posteve.
Ai tha se detyra e re përbën një thirrje për më shumë angazhim, unitet dhe përgjegjësi, ndërsa u zotua të punojë për një parti më të organizuar, të hapur dhe më pranë qytetarëve.
Peci shprehu falënderim të veçantë për bashkëkryetaren e deritanishme, Donika Gërvalla, për kontributin, përkushtimin dhe punën e saj gjatë rrugëtimit të GUXO-së.
Ai shtoi se, së bashku me Gërvallën, anëtarët dhe aktivistët e partisë, do të vijojë ndërtimin mbi punën e deritanishme dhe përballjen me sfidat e ardhshme.
Kryetari i ri i GUXO-së theksoi se Kosova ka nevojë për institucione të fuqishme, zhvillim ekonomik, përmirësim të arsimit dhe shëndetësisë, siguri si dhe një orientim të qartë euroatlantik.
Sipas tij, NATO, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbeten partnerët strategjikë të Kosovës.
Peci falënderoi anëtarët e partisë për besimin, duke theksuar se nga ky moment përgjegjësia është edhe më e madhe, ndërsa vullneti për punë është më i fortë.
