Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, foli në emisionin “Review” të Greta Topjanës për vizitën e Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara dhe takimet e tij me shqiptarët atje.
Sipas Mediut, takimi me komunitetin shqiptar në Amerikë ishte shumë i suksesshëm dhe tejkaloi pritshmëritë, pasi pjesëmarrësit treguan interes të madh për të bashkëbiseduar me Berishën.
Të lidhura
None found
Ai tha se aktiviteti u zhvillua pas një darke të organizuar një mbrëmje më parë, ku morën pjesë përfaqësues të komunitetit shqiptar nga të gjitha trojet, figura të njohura për kontributin e tyre në çështjen e Kosovës, çështjen shqiptare në Maqedoni dhe çështjen kombëtare në përgjithësi.
Mediu theksoi se në këto takime ishin të pranishëm edhe përfaqësues e ish-zyrtarë të Departamentit të Shtetit, si dhe persona të politikës amerikane.
“Gjithçka shkoi jashtëzakonisht mirë dhe përtej asaj që prisnim. Shqiptarët e Amerikës kishin një dëshirë të madhe për të takuar zotin Berisha dhe për të diskutuar me të. Më pas pati edhe një bashkëbisedim me pyetje e përgjigje, duke e bërë takimin veçanërisht pozitiv”, u shpreh ai.
Ndërkohë, kreu i Partisë Republikane pretendoi se disa persona janë përpjekur të dëmtojnë opozitarizmin dhe të godasin historinë politike të Berishës në Shtetet e Bashkuara.
“Nuk deshën që zoti Berisha të qëndronte në Amerikë, madje nuk donin as të kishte shtatë persona që të protestonin. Është ndërtuar një politikë e tërë për të shkatërruar opozitarizmin dhe, në mënyrë të veçantë, për të dëmtuar historinë politike që zoti Berisha ka krijuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Mediu.
Ai solli në vëmendje edhe marrëdhëniet e mëparshme të Berishës me drejtuesit amerikanë, duke thënë se ish-kryeministri shqiptar është i vetmi autoritet që është ftuar zyrtarisht dy herë në Shtëpinë e Bardhë, nga Presidenti Bush dhe Presidenti Clinton.
“Për të rikujtuar të gjithë, i vetmi autoritet i ftuar zyrtarisht dy herë në Shtëpinë e Bardhë ka qenë zoti Berisha, një herë nga Presidenti Bush dhe një herë nga Presidenti Clinton. Po ashtu, i vetmi autoritet që ka pritur në Tiranë një president të zgjedhur në detyrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë zoti Berisha”, tha ai.
Sipas Mediut, gjatë vizitës së Presidentit Bush në Tiranë u dhanë dy njoftime me rëndësi të jashtëzakonshme: për pavarësinë e Kosovës dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
“Kryeministri që firmosi në atë periudhë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, një prej fitoreve më të mëdha për shqiptarët dhe kombin shqiptar, ishte zoti Berisha”, përfundoi kryetari i Partisë Republikane.
