Vora u mund 4-0 nga Tirana në javën e tretë të “Abissnet Superiore”. Takimi u zhvillua në stadiumin “Selman Stërmasi”, ndërsa pas përfundimit të ndeshjes trajneri i Vorës, Arjan Bellai, analizoi paraqitjen e skuadrës.
Të lidhura
None found
Bellai pranoi se ekipi i tij nuk arriti të ruante qetësinë pas fitores me Dinamon. Sipas tij, ai rezultat i bëri lojtarët të mendonin se ishin “Barcelona”, ndërsa ndaj Tiranës nuk treguan të njëjtin nivel dhe kryen gabime të rënda në golat e pësuar.
Trajneri theksoi se problemet në mbrojtje ishin shfaqur edhe në dy ndeshjet e para. Ai vuri në dukje mungesën e agresivitetit dhe të shpirtit luftarak, duke shtuar se skuadra kishte luajtur me skemën 4-3-3 në tranzicione, por duhej të ishte më e fortë në duele. Bellai kujtoi se të njëjtat vështirësi ishin evidentuar edhe në sfidën me Egnatian.
“Nuk funksionoi asgjë siç duhet, as tranzicioni dhe as qarkullimi i topit”, u shpreh ai, duke shtuar se lojtarëve u kishte kërkuar më shumë dëshirë dhe agresivitet. Sipas Bellait, ndeshja nuk duhet harruar, pasi ajo nxori në pah shumë aspekte që Vora duhet të përmirësojë pas këtyre dy ndeshjeve.
I pyetur nëse Tirana ishte nënvlerësuar, Bellai pranoi se skuadra nuk kishte pasur të njëjtën dëshirë dhe shpirt që kishte treguar deri diku ndaj Egnatias. “Edhe vitin e kaluar e bëmë Tiranën Barcelonë, edhe sot. Ne bëjmë të kundërtën dhe u japim entuziazëm”, deklaroi trajneri.
Sa i përket gjendjes së tij pas humbjes, Bellai u përgjigj shkurt: “Të trija”, duke iu referuar faktit se ndihej njëkohësisht i mërzitur, i nevrikosur dhe i shqetësuar.
