Deputeti demokrat, Edi Paloka gjykon se vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj në mes të Shëngjinit ka prapaskenë politike.
Sipas tij, Nikulaj, i cili ka qenë kandidat për deputet nën siglën e PSD në 2021 dhe kandidat për këshill bashkiak në zgjedhjet vendore të 14 majit, mbështeste kandidatin për bashki të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Pashk Gjoni.
“Kam përshtypjen, pa pasur më tepër të dhëna, se do të ketë background politik, për fat të keq. Nuk mund të flas më tepër, se nuk kam informacion, por fakti është që Ardian Nikulaj këtë herë ka qenë i angazhuar, me sa di unë, në mbështetje të kandidatit të Partisë Demokratike, të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në zonë. Por nuk dua të flas më tepër, pasi dua të kem informacion”, tha Paloka për News 24.
Ngjarja ndodhi pas pak mesdite më 19 prill 2023. Biznesmeni u ekzekutua në lokalin e tij “Coral’ në mes të pedonales.
Burime bëjnë me dije se 51-vjeçari u qëllua nga një person që ka hyrë me skafandër motori në kokë dhe i veshur me jelek fosforishent.
Pasi e ka qëlluar disa herë me pistoletë ai është larguar sërish me motor.
Ndërkohë që policia ka rrethuar zonën, ka marrë nën administrim kamerat dhe po punon për kapjen e autorëve.
“Rreth orës 13:30, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri, në ambientet e lokalit të tij, shtetasi A. N. 50 vjeç, banues në Shëngjin.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.