U përballën me njëri – tjetrin, Ronaldo dhe Kulusevski nuk i kursejnë elozhet

Cristiano Ronaldo dhe Dejan Kulusevski do të jenë shokë skuadre te Juventusi në këtë sezon, por para se të luajnë së bashku me të njëjtën fanellë, janë përballur mbrëmjen e djeshme si kundërshtarë në ndeshjen Suedi-Portugali.

Sfidën e fitoi padyshim CR7, që shënoi të dy golat e takimit dhe u dha tre pikët luzitanëve, ndërsa pas ndeshjes nuk i kurseu komplimentet për mesfushorin e talentuar suedez, që prej ditës së sotme do ta ketë shok skuadre.

“Një talent i madh, më pëlqen shumë. Ka potencial dhe është një futbollist shumë i mirë. Do të na ndihmojë të fitojmë dhe të arrijmë objektivat tanë. Shpresoj të luajmë sa më shumë bashkë dhe të shënojmë sa më shumë gola”, tha Ronaldo për shokun e ri të skuadrës.

I menjëhershëm edhe reagimi i mesfushorit suedez, i cili vlerësoi shumë fjalët e mira të Cristiano Ronaldos dhe pranoi se deklarata të tilla shërbejnë si një “benzinë” për përmirësimin e tij të mëtejshëm.

“Janë pikërisht këto gjëra, që të bëjnë të punosh më shumë. Fjalë fantastike. Cristiano është një futbollist botëror, një shembull për t’u ndjekur dhe në çdo ndeshje e tregon që është më i miri. Jam me fat që do të jem shoku i tij i skuadrës, pasi do të mësoj shumë prej tij”, u shpreh Kulusevski.


Shtuar 9.09.2020 13:27