Trajneri i Juventusit insiston se nuk ka asnjë problem me Dybalan

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, ka insistuar se mes tij dhe Paulo Dybalas nuk ka asnjë problem, përkundër që sulmuesi argjentinas reagoi i zemëruar pasi u zëvendësua gjatë fitores të së dielës me rezultat 2:1 kundër Romës.

Paulo Dybala ia harkoi topin Merih Demiralit për golin e parë të Juventusit, ndërsa pastaj e fitoi penalltinë të cilën e shënoi Cristiano Ronaldo. Por, ai u zemërua kur u zëvendësua nga Gonzalo Higuain, kur kishin mbetur edhe 20 minuta lojë.

Duke folur para përballjes të së mërkurës kundër Udineses në Kupën e Italisë, Sarri insistoi se marrëdhënia e tij me Dybalan është e mirë dhe se ata s’e kanë asnjë problem mes vete.

“Unë flas me Dybalan çdo ditë, sepse edhe më pëlqen ai. Nuk kam nevojë të flas me të për atë që ndodhi atë ditë”, tha Sarri.

“Në mes të shumë gjërave të tjera, stafi im më tregoi se Dybala vetëm i kishte pyetur se pse u zëvendësua. Mua nuk më duket asgjë e veçantë”.

“Ne jemi me fat që kemi sulmues të fortë. Ata duhet të jem burim i vlefshëm për ne, jo të ngjallin probleme apo incidente kontroverse”.

Pas ndeshjes kundër Udineses, Sarri do të fillojë ta përgatitë skuadrën e tij për një tjetër ndeshje të Serisë A, pasi që Parma do ta vizitojë Juventusin në Allianz të dielën.


Shtuar 15.01.2020 10:11