Laçi triumfon ndaj Skënderbeut (VIDEO)

Laçi ia ka dalë të marrë tre pikët e plota në përballjen e sotme shtëpiake ndaj Skënderbeut. Për kurbinasit triumfi ishte shumë i rëndësishëm duke qenë se falë fitores ngjiten në vendin e tretë duke parakaluar Bylisin.

Sa i përket ndeshjes, bardhezinjtë ishin më kërkues gjatë ndeshjes, ndërsa në pjesën e parë për t’u veçuar ishte rasti i Xhixhës, të cilit gëzimit ia mohoi shtylla. Megjithatë, sulmuesi do të mund të festonte në pjesën e dytë teksa në minutën e 51 shënoi një gol të bukur duke mos i lënë asnjë shans reagimi portieri Koliçi.

Edhe pas golit, vendasit këmbëngulën sërish për të dyfishuar shifrat megjithatë portieri i korçarëve nuk u kalua as nga gjuajtjet e Nuabueze. Kështu, deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe Skënderbeu pëson humbjen e parë në këtë vit pas dy fitoreve radhazi, teksa renditet në vendin e tetë me 27 pikë.


Shtuar 3.02.2020 15:15