Kukësi mposht me përmbysje Laçin dhe kthehet në krye (VIDEO)

Kukësi ja ka dalë të sigurojë tre pikët përballë Lacit të vendit të tretë me rezultatin e pastër 3-1.

Verilindorët vuajtën jo pak gjatë sfidës, teksa u ndëshkuan të parët me anë të sulmuesit kurbinas, Nuabueze në minutën e 36. Ky i fundit nuk e pati të vështirë të shënonte nga fare pranë portës pas një pasimi të Grecës.

Ndërkohë, pak minuta më parë, nigeriani me pasaportë amerikane shpërdoroi një shans të pastër, teksa u neutralizua nga portieri Xhika. Ndërkaq, avantazhi i kurbinasve zgjati vetëm tre minuta pasi Kristal Abazaj shënoi për Kukësin duke i dërguar të qetë në dhomat e zhveshjes. Ndërkohë, në fraksionin e dytë të sfidës Laçi iu afrua shumë golit, por ishin të pafat teksa në goditja e Deliut nga goditja e dënimit u ndal në tranversë.

Kjo duket sikur zgjoi Kukësin që më pas realizoi falë sulmuesit Shkurtaj, i cili shfrytëzoi në maksimum pasimin nga Musta. Me kalimin e minutave verilindorët gjetën edhe golin e qetësisë me Et’hemin. Kështu, përfundimisht Kukësi fitoi me rezultatin 3-1, teksa verilindorët kthehen në vendin e parë të klasifikimit ndërsa kurbinasit mbeten në vendin e tretë.


Shtuar 8.02.2020 15:02