Kukësit i mjaftojnë 45 minuta për të mposhtur Teutën (VIDEO)

Kukësi ka arritur të fitojë shumë lehtë ndaj Teutës.

Verilindorëve i është dashur vetëm pjesa e parë për të mbyllur ndeshjen dhe marrë tre pikë të rëndësishme, që e çojnë diferencën me Tiranën në katër pikë. Ndeshja është hapur në minutën e pestë me Vesel Limajn. Mesfushori godet në mënyrë perfekte jashtë zonës dhe gjen rrjetën e Stivi Frashërit.

Pas tij, stafetën e merr Gudberg Kuper. 22-vjeçari shërbehet në perfeksion në minutën e 12 nga Abazaj dhe 2-0. Në minutën e 35 verilindorët arritën të shënojnë golin e tretë sërish me Kuper dhe sërish Abazaj asistues. Kaq mjaftoi për ta hedhur në “tapet” Teutën, që në pjesën e dytë, jo që nuk është përpjekur, por e ka ndihmuar Kukësin të shkojë e qetë drejt fitores.

Aleksi mori dy kartonë të verdhë të shpejtë (brenda 5 minutave) dhe gjyqtari Jorgji e ndëshkoi me të kuq (minuta 54), duke lënë skuadrën me një lojtar më pak dhe shuar totalisht shpresat e durrsakëve. Për të “errësuar” akoma më shumë këtë natë të Teutës mendoi Beqja, i cili bën rolin e portierit pas goditjes së Abazajt dhe lë Teutën me nëntë lojtarë. Penalltinë e merr përsipër Musolli, por Frashëri pret dhe rezultati mbetet 3-0.

Të dyja skuadrat luajnë për të shtyrë minutat, me të rinjtë e Kukësit (Domi dhe Çema), që mundohen të argëtohen, por nuk e dërgojnë topin në rrjetë. Në fund Krasniqi mendon të skuqë anën e verilindorëve në tabelën e ndeshjes dhe merr të dytin e verdhë, pas një ndërhyrje ndaj Çyrbes në afërsi të zonës. Kaq për këtë ndeshje, që për hir të së vërtetës zgjati vetëm 35 minuta, rradhë ndodh, por ja që ndodh.


Shtuar 11.07.2020 20:48