Tifozët e Wuhan Zall, klubi i Superligës Kineze nga epiqendra e koronavirusit, të dielën morën pjesë në ndeshjen e tyre të parë që nga pandemia – dhe shpërthyen në lot ndërsa ekipi i tyre barazoi 2-2.
Rreth 300 mbështetës të Wuhan bënë udhëtimin 750 kilometra (450 milje) drejt lindjes në Suzhou dhe panë skuadrën e tyre të shënonte dy herë në tre minuta në pjesën e dytë kundër pretendentëve për titull Beijing Guoan.
CSL është hapur ngadalë për një numër shumë të kufizuar të spektatorëve, pasi e kanë filluar sezonin pas dyerve të mbyllura në korrik, por ata duhet të kalojnë një test të koronavirusit në shtatë ditë para ndeshjes.
Paraprakisht, mbështetësit e Wuhan mbajtën një banderolë jashtë stadiumit duke falënderuar pjesën tjetër të Kinës për mbështetjen e saj në betejën e qytetit qendror kundër koronavirusit.
Sapo hynë brenda ata nuk pranuan të ulen dhe nisën të këndonin pothuajse pa ndërprerje, edhe kur ekipi i tyre ishte në disavantazh 0-2 në pjesën e parë, para se braziliani Leo Baptistao dhe Jean Evrard Kouassi i Bregut të Fildishtë ta barazonin rezultatin. /