Jasir Asani drejt rikthimit te Partizani

Pandemia “COVID19” mund t’i kushtojë shumë Partizanit dhe ish-lojtarit të tij, Jasir Asani. Në merkaton e janarit të kuqtë e privuan veten nga shërbimet e 24-vjeçarit për pjesën e mbetur të sezonit duke e huazuar në Suedi, me shpresën që në qershor ta shisnin sulmuesin tek AIK Stokholm.

Pezullimi i aktiviteteve sportive në këtë periudhë nuk ka rezultuar me fat për sulmuesin nga Shkupi, i cili rrezikon të kthehet te Partizani pa luajtur me skuadrën suedeze në kampionat, ku sezoni i ri ishte planifikuar të niste më 4 prill. Asani u afrua nga AIK për të mbushur boshllëkun e lënë nga dëmtimi i mesfushorit Nabil Bahoui, i cili parashikohej të mos ishte gati deri në qershor.

Kontrata e huazimit nga Partizani tek AIK Stokholm mbaron në qershor dhe më tej hyn në fuqi klauzola e blerjes së kartonit të 24-vjeçarit nga suedezët. Nga ky transferim Partizani priste të përfitonte rreth 400 mijë euro, shkruan panorama sport. Situata e krijuar nga Koronavirusi, ku akoma nuk dihet se kur do të nisë kampionati në Suedi, ndonëse ekipet stërviten rregullisht, mund të bëjë që AIK të mos e ushtrojë të drejtën e blerjes së futbollistit të Partizanit edhe për faktin se Nabil Bahoui është drejt rikuperimit të plotë.

Prej kohësh ka patur një përplasje mediatike në Suedi rreth të ardhmes së Asanit te skuadra e kryeqytetit suedez. Në lidhje me këtë çështje, së fundmi për “FotbollDirekt” ka folur drejtori i përgjithshëm i AIK Stokholm, Bjorn Uestrom. Media suedeze raporton se ndërprerja e aktiviteteve sportive nga shpërthimi i pandemisë “COVID-19” mund të bëjë që Jasir Asani të mos luajë asnjë ndeshje në kampionatin suedez me AIK-un. I pyetur se si do të veprohet me të ardhmen e ish-sulmuesit të Partizanit, zyrtari i lartë i klubit suedez, Bjorn Uestrom, u shpreh:

“Vendimi për të ardhmen e Asanit do të merret përpara fundit të muajt maj”. Asani duket në formë dhe është përgatitur rregullisht me AIK-un në këtë periudhë, madje ka luajtur edhe tri ndeshje zyrtare të plota në Kupën e Suedisë, ku ka shënuar edhe një gol. E ardhmja mund të varet edhe nga kushtet e reja që AIK mund t’i kërkojë Partizanit, për të ulur çmimin.


Shtuar 8.05.2020 07:49