Ja ligat që kanë shpenzuar më shumë

Pavarësisht blerjeve të bujshme të Eriksen nga Interi dhe Kulusevskit nga Juventus në Serinë A italiane, kampionët e merkatos së riparimeve janë sërish klubet e Premier Leagues në Angli, që gjatë muajit janar kanë shpenzuar plot 270 milionë euro.

Sipas një raporti të publikuar nga FIFA, në vendin e dytë renditet Bundesliga gjermane, me klubet atje që kanë shpenzuar 189 milionë euro gjatë merkatos së janarit, ndërsa Seria A renditet vetëm e treta me 115 milionë euro dhe pesëshja plotësohet nga La Liga me 108 milionë euro dhe Ligue 1 me 69 milionë euro.

Sa u përket të ardhurave nga shitjet gjatë merkatos së janarit, renditja kryesohet nga klubet gjermane me 93 milionë euro, të ndjekur nga La Liga me 82 milionë euro, Seria A me 72 milionë euro, Premier League me 60 milionë euro dhe Ligue 1 me 34 milionë euro.

Ndërkohë vlen të theksohet se sipas raportit të FIFA-s, transferimet e bëra nga klubet e 5 ligave kryesore europiane zënë 14.1% të të gjithë transferimeve të botës së futbollit, por si vlerë lekësh kapin rreth 71.4 % të shifrës së shpenzuar.

Kujtojmë që rekordin për shpenzime në merkaton e janarit e mban Premier League në dimrin e 2018-ës, me 459 milionë euro të shpenzuara, ndërsa Seria A rekordin e pati dimrin e kaluar me 139 milionë euro, shifër kjo e ngritur ndjeshëm nga Milani që bleu Piatek e Paqueta.


Shtuar 12.02.2020 16:04