Ibrahimovic dhe Kulusevski i kryejnë sot testet mjekësore

Afati kalimtar i janarit është hapur zyrtarisht dhe sot pritet të kompletohen dy transferime bombastike në Serie A, me Zlatan Ibrahimovicin dhe Dejan Kulusevskin, të cilët do t’i kryejnë testet mjekësore me Milanin dhe Juventusin, përkatësisht.

Derisa ndeshjet e Serie A do të rinisin më 5 janar, klubet janë të zëna duke i përmirësuar skuadrat e tyre në afatin kalimtar dimëror, transmeton Gazeta Express.

Disa marrëveshje janë arritur tashmë, si ajo mes Milanit dhe Ibrahimovicit, i cili kthehet te klubi kuqezi si lojtar i lirë, pasi i përfundoi kontrata me LA Galaxy muajin e kaluar.

Ai do të jetë në Milano sot për t’i kryer testet mjekësore në Milan Lab, ndërsa do të prezantohet si lojtar i Milanit të premten mbrëma në një konferencë për media.

Ndërkohë, edhe Juventusi do ta bëjë lëvizjen e parë në këtë afat kalimtar, pasi anësori i Atalanta Kulusevski do t’i kryejë sot në mëngjes testet mjekësore para se ta kompletojë transferimin në Torino.

Raportohet se 19-vjeçari do t’i kushtojë Juventusit plot 35 milionë euro, plus 10 deri në 15 milionë euro të tjera bonuse bazuar në paraqitet e tij.

Ai i ka shënuar katër gola dhe shtatë asiste në 17 ndeshje në Serie A deri tani për Parman, ku është i huazuar.


Shtuar 2.01.2020 07:55