Gledi Mici vendos t’i bashkohet Prishtinës në elitën e futbollit kosovar.
29-vjeçari, i cili gjatë dy sezoneve të fundit ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës, ku fitoi edhe titullin kampion, shtyu kthimin në Superiore, duke pranuar ofertën e bardhekaltërve.
Edhe pse marrëveshja ende nuk është bërë zyrtare dhe pritet të përcaktohen edhe disa detaje të vogla, hedhja e të zezës mbi të bardhë mbetet formalitet.
Te Prishtina Mici do të gjejë edhe Sabien Lilajn dhe Leonit Abazin, me të cilët ka luajtur te Skënderbeu deri pak vite më parë.
Mici, në fakt, ishte shumë pranë nënshkrimit me Partizanin, por vendimi i CAS-it që la në fuqi vendimin e komisioneve juridike të UEFA-s për pezullimin e merkatos së të kuqve për dy sesione për shkak çështjes “Çinari”, prishi planet e anësorit të majtë për të punuar me Ilir Dajën te skuadra kryeqytetase.
Kontrata e Micit pritet të jetë njëvjeçare, edhe pse drejtuesit e Prishtinës këmbëngulin për marrëveshje dyvjeçare.