Eriksen me fjalë të mëdha për “derbin”: Atmosferën që e përjetova, s’mund ta përjetosh në Premier League

Mesfushori i Interit, Christian Eriksen, ka mbetur i mahnitur me atmosferën që e ka përjetuar në derbin e tij të parë Della Madonnina, duke thënë se në Premierligë nuk mund ta përjetosh një atmosferë aq të zjarrtë.

Interi luftoi nga 0:2 për ta fituar derbin me rikthim 4:2 të dielën në San Siron e mbushur me mbi 75 mijë tifozë.

Eriksen, i ardhur në janar nga Tottenham, debutoi në derbi si zëvendësues dhe i përjetoi emocionet e papërshkrueshme.

“Ishte një përvojë madhështore”, tha Eriksen për Gazetta dello Sport.

“Pjesa e parë ishte pikëlluese, por të fitosh në këtë mënyrë me rikthim është diçka e veçantë. Tani mund të dalë nga stadiumi me një buzëqeshje të madhe në fytyre”, shtoi ai.

“Tifozët e kishin përgatitur një koreografi e cila e mbuloi tërë tribunën pas portës. Nuk mund ta përjetosh një atmosferë të tillë në Premierligë, kryesisht sepse gjëra të tilla nuk lejohen atje”, theksoi ai.

“Këtu mund vërtet t’i ndiesh tifozët duke të nxitur nga momenti që mbërrin me autobusin e ekipit. Ata e godasin me shuplakë automjetin dhe të bëjnë ta ndiesh pasionin e tyre dhe ta kuptosh sesa e rëndësishme është ndeshja”, përfundoi ai.


Shtuar 10.02.2020 14:30