Vrasje, drogë e prostitucion: Kush janë “të fortët” e Durrësit në shënjestrën e OFL

Operacioni Forca e Ligjit iu kërkon katër personave me rekorde të theksuara kriminale, që të deklarojnë origjinën e pasurisë së tyre.

Ligjshmërinë e pasurisë së tyre duhet ta deklarojnë Ali Lorja, Roland Domi, Artur Vaqo dhe Ardjan Tati, të dënuar për vrasje, prostitucion dhe drogë.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

-Ali Lorja, banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”;

-Roland Domi, banues në Durrës, nën hetim nga autoritetet italiane të drejtësisë, për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”;

-Artur Vaqo, banues në Durrës, i dënuar nga autoritetet italiane të drejtësisë, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Organizatë kriminale”;

-Ardjan Tati, banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 24.06.2020 10:21