Spiropali reagon pas vdekjes së shoferit të saj: S’ kishe pirë kurrë një aspirinë

Ministrja Elisa Spiropali ka reaguar me një status shumë prekës dhe fjalë të ndjera për vdekjen e shoferit të saj, gardistit Gani Potka, që ishte i prekur nga Covid-19.

Përmes rreshtave në Facebook, Spiropali thotë se tronditja për këtë lajm është aq e madhe, sa sot, nuk ka më as lot.

“Na ke tronditur dhe trishtuar thellësisht. Për familjen tënde nuk ka ngushëllim, por ne do iu gjendemi gjithmonë! Prehu i qetë, Gani! Dritë pastë shpirti yt i mirë!“, shkruan Spiropali.

Reagimi i plotë i ministres:

Kur komandanti i Gardës më solli jetëshkrimin me fotografinë tënde, e kuptova menjëherë që ishe i duhuri. Rrezatoje përkorësi, fisnikëri, mirësi.

12 orë në ditë, për 1 vit e gjysëm, më shoqërove kudo, i duruar, i vëmendshëm, i kujdesshëm. Çdo ditë sillje maskat, ujin, i vendosje tek dera e makinës, më tërhiqje vërejtje se pija pak. E thoje me krenari që s’kishe pirë kurrë një aspirinë.

Kur më lajmëruan që ke humbur vetëdijen dhe të kanë intubuar, tronditja ishte aq e madhe sa nuk nxorra dot asnjë fjalë. Vetëm lot që rridhnin pa kontroll. Sot, që ky virus i pabesë të mori frymën dhe jetën, s’kam më as lot. Nalta të adhuronte, çdo njëri nga ne që të njohu të donte dhe të respektonte. Na ke tronditur dhe trishtuar thellësisht. Për familjen tënde nuk ka ngushëllim, por ne do iu gjendemi gjithmonë! Prehu i qetë, Gani! Dritë pastë shpirti yt i mirë!


Shtuar 27.07.2020 12:08