Shpërtheu lëndë plasëse në dritaren e fqinjit, kapet autori në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar një person i cili vendosi lëndë plasëse në dritaren e banesës së shtetasit B. H. duke i shkaktuar dëme materiale.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Bastar i Mesëm.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”, i shtetasit P. H., 60 vjeç.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 20 metra fitil zjarrpërcjellës, një detonator dhe 3 kallëpe të dyshuara me lëndë plasëse.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.


Shtuar 12.05.2020 12:06