Pak minuta më parë ka përfunduar vizita e ambasadorëve të vendeve kryesore të akredituar në Tiranë në selinë e qeverisë me kryeministrin Edi Rama.
Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim me Yuri Kim, Luigi Soreca dhe Peter Zingraf, të cilët kanë dalë njëherësh nga godina e kryeministrisë.
Gjatë një komunikimi të shpejtë në Facebook, Rama ka zbardhur edhe tematikat e takimit me diplomatët, ku vuri theksin tek reforma zgjedhore dhe domosdoshmërinë sipas tij për rifillimin e menjëhershëm të punës.
“Kemi qenë së bashku me disa përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar me të cilët kemi ndarë shqetësimin për domosdoshmërinë e rifillimit të menjëhershëm të punës për reformën zgjedhore, sepse ajo është detyrim i përbashkët ndaj të gjithë publikut shqiptar.
Kemi humbur shumë kohë duke pritur miqtë që pa pritur e pa kujtuar janë mbërthyer nga pasioni për teatrin dhe faktikisht jemi në hapat e fundit, nëse duam të arrijmë që këtë reformë ta bëjmë funksionale në zgjedhjet e ardhshme.