Nuk hoqën dorë nga lojrat e fatit: Arrestohet pronari i lokalit, procedohen tre të tjerë

Policia ka proceduar penalisht 4 persona, nga të cilët një i arrestuar në flagrancë, një i shpallur në kërkim dhe dy të tjerë në gjendje të lirë pasi ushtronin aktivitetin e lojrave të fatit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për vënien përballë përgjegjësisë ligjore të shtetasve të cilët organizojnë lotari të palejuara, kanë ushtruar kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme, ku dyshohej se vijonte të ushtrohej ky aktiviteti i kundërligjshëm.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, në lagjen nr. 12, në lokalin e shtetasit L. P., 29 vjeç, banues në Lushnjë, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 laptop dhe 6 tableta të cilat dyshohet se shërbenin për vënien e lotarive sportive.

Në vijim të veprimeve të mëtejshme hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve, bënë shpalljen në kërkim për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” të shtetasit L. P.

Gjithashtu u arrestua në flagrancë për veprën penale “Organizimi i lojërave të palejuara” shtetasi Gj. Th., 42 vjeç, banues në Korçë, si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën “Moskallëzimi i krimit”, ndaj shtetasve E. P., 25 vjeç dhe S. T., 19 vjeç, banues në Korçë, të tre punonjës të këtij lokali.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.


Shtuar 23.08.2020 08:46