Letra e gruas që i vranë vëllain dhe nipin në Belgjikë: Nanë nuk po mundem ma..!

Prej ditësh në media flitet në lidhje me “hasmëritë” e vjetra në Rreshën, të cilat sipas raportimeve në media dhe burimeve nga organi i akuzës shkaktuan dhe ekzekutimin e biznesmenit Kastriot Reci.

Adelina Sali Jaku, motra e Saimir Jakut dhe tezja e Kreshnik Gjinit ka reaguar e indinjuar nga aludimet që janë thënë në media në lidhje me dy njerëzit e saj të shtrenjte.

Saimir Jaku, ish drejtor i OSHEE-së u vra në shtator të 2016-s në një atentat me kallashnikov teksa po pinte kafe në një nga lokalet e Rrëshenit. Ndërsa Kreshnik Gjini u vra në shtator të 2017-s, në Forest të Belgjikës.

Ai u qëllua me dy plumba nga dy persona të panjohur dhe të maskuar.

Vrasjet e tyre janë lidhur me vrasjet e vëllezërve Gasper dhe Kastriot Reçit, të dy të ekzekutuar me atenatate mafioze.

Motra e Sajmir Jakut, ka reaguar ashpër ndaj gjithë informacioneve të thëna në media, ku thuhet se të afërmit e saj janë implikuar në aktivitete kriminale.

“Jam Adelina Sali-Jaku, motra e Saimirit, kriminel dhe tezja e Kreshnikut trafikant.

Lavdi zotit që djali im është vetëm 10 vjeç sot se kush e di çfarë do të ishte sipas Klodianave, Dorianëve, Andeve, e lloj lloj medie të “fjalës së lirë”.

Nuk më ka pëlqyer kurrë të shoh edicionet e lajmeve, të ndjek portale plot me informacione pa vlerë, veçanërisht këto 3 vitet e fundit kur unë humba 2 nga njerëzit e mi të shtrenjtë. Vëllain, Saimirin dhe nipin Kreshnikun. Ngjarje tronditëse, por që në jetë ndodhin. Nuk gjetëm shpjegim, nuk gjetëm arsye, nuk u gjetën as vrasës.

Me këto humbje të pashërueshme të shpirtit hoqa dorë nga leximi i lajmeve online apo i ndjekjes së tyre në TV kur pashë se si këta dy njerëz që ne humbëm, na i shndërruan në kriminelë, banda kriminale etj., etj. 1Pavarësisht se pa mbledhur kurrfarë informacioni të saktë apo fakti, për çfarë shkruajtën. Pa pyetur sigurisht nëse për këto shpifje disa njerëz të gjallë denigrohen! Pa e vrarë mendjen (sepse kjo merr kohë dhe energji) bënë lajme, fituan klikime dhe audiencë…

Nuk po ndalem të sqaroj si qe jeta e tyre e shkurtër sepse ata njerëz që vërtetë na njohin, e dinë fort mirë se qe e ndërtuar me sakrifica, mundime e dhimbje…

Shokët dhe shoqet e klasave të tyre, ish-kolegë, i kanë njohur nga afër. Ata ishin dy të rinj me ëndrra, njerëz normalë për moshën e tyre, sigurisht jo shenjtër, por as ata sikurse i shitën gazetat e televizionet! Nuk ishin as kriminelë, e as trafikantë dhe për këtë nuk gjendet asnjë akuzë ndaj tyre e jo më dënim i faktuar për trafik e banda, përveç lajmeve të “profesonistëve” pas vdekjes së tyre.

Na u thërmua shpirti, por siç tha nëna ime: “Mos dëgjoni më lajme e llafe pazari, por të mbledhim thërrimet e zemrave t’i bashkojmë e të vazhdojmë jetën, sepse ajo nuk është vetëm dhuratë por edhe detyrë për njerezit”.

Dhe ne të gjithë, në heshtje ashtu bëmë, duke filluar ajo me shembullin e saj, motra jonë e madhe që ka dhe plagën dyfishe të humbjes së vëllait e të djalit, dhe të gjithë ne, bijtë e bijat e saj.

Sot pas më shumë se tre vitesh nga tragjeditë që kaluam, ndihemi të sulmuar të kërcënuar e shumë të lënduar, këtë herë jo prej plumbash, por nga një tufë gjallesash, nuk e di nëse mund t’i quaj spiker, folës, zhurmues, sepse të më ndjeni për ashpërsinë, por njerëz nuk mund t’i quaj!

Nuk mund të quaj njerëz, disa “gazetare investigative” që transmetojne një ngjarje tjetër tragjike në Shqipërinë tonë dhe pa një rrjedhë logjike ndërtojnë “kronologji datash” skenarë të tërë vrasjesh të cilat ndodhin mes dy ”bandave kriminale!”

Do të doja t’i pyesja Klodianat, Dorianat, Andet, Lalat, Bezatet, Borat e shirat e shumë të tjerë si këta, kush ishte banda e Saimirit? Kush ishte banda e Kreshnikut? Kur janë gjykuar sa qenë gjallë për trafik të lëndëve narkotike? Kur janë dyshuar për të tilla krime? Kur? Por nuk mundem, nuk mundem se në mes të kesaj dhimbje të thellë që kam në shpirt, me qeshet. Po po, më qeshet në mënyrën më të pështirë se sa të MJERË janë! Ata nuk kishin kurrë një dyshim për të tilla akuza sa jetuan e jo me dënim të faktuar!

Unë ende sot nuk e di kush m’i vrau familjarët dhe pse? Jam ende në hijen e dyshimeve, por nëse duan, këta gazetarë që “dinë gjithçka”, le të na e thonë!

Gazetarë që ushqehen me fatkeqesitë e njerëzve në mënyrën më të paskrupullt, që kërkojnë të pijnë gjak edhe nga të vdekurit!

Pyes veten nëse e dinë zonjat dhe zotërinjtë profesionistë, dhe mediat ku ushqehen, se shpifja ndaj të vdekurve të cilët tashmë nuk mund të vetëmbrohen, përbën vepër penale! Gjithsesi unë me këmbëngulje dhe durim do të përpiqem t’ua kujtoj nëpërmjet personave që i kanë njohuritë e nevojshme ligjore.

Nuk besoj se u bëhet vonë se duke sajuar këto “hasmëri familjesh që kontrollojne qytetin,” siç shprehen ata, nxisin makabritete të tjera dhe bëhen më të rrezikshëm se vetë vrasësit, që nuk u gjendën deri tani!

Më dhimbsen për paaftësinë që kanë si fillim për të qenë njerëz që mendojnë, e më pas për të qenë edhe profesionistë! Vite dritë larg me të dyja.

Dua të sqaroj që neve si familjarë, nënës tonë, motrave e vëllait, nuk na ndryshoni asgjë në jetë me të pavërtetat që shpifni por, mund të na shenjoni si target të mundshëm për krimin e radhës të cilin do të nxitonit ta bënit lajm!

Për ta mbyllur duhet t’i kërkoj falje nënës time e cila pavarësisht se për këtë shkrim mund dhe të mos njoftohet, sigurisht që nuk do të ishte dakord që ta shkruaja! Nuk do të ishte dakord sepse ajo “nuk do t’i fryjë zjarrit”.

Më fal nanë, por barra që na kanë vu asht shumë ma e randë se na takon e unë nuk po mundem ma!” /albeu.com/


Shtuar 10.01.2020 21:19