Meta emëron 3 anëtarët e Gjykatës së Lartë

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretaur emërimin e 3 kandidatëve si anëtarë të Gjykatës së Lartë, ndërsa përkatësisht bëhet fjalë për Sokol Sadushaj, Ervin Pupe dhe Ilir Panda.

Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës

11 mars 2020

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, pasi shqyrtoi propozimet e Këshilli të Lartë Gjyqësor dhe praktikat dokumentuese të kualifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes, të administruara në datën 5.03.2020, si dhe:

 Vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 110, datë 27.02.2020 “Për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z.Sokol Sadushaj”;

 Vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 111, datë 27.02.2020 “Për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z.Ervin Pupe”;

dhe

 Vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 112, datë 27.02.2020 “Për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Ilir Panda”;

Si dhe pasi siguroi një informacion shtesë prej Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi këto propozime, sot në datë 11.03.2020, brenda afatit që përcakton neni 136 i Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka vendosur;

– Dekretimin për emërimin si gjyqtar të Gjykatës së Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidaturave të propozuara të:

 Zotit Sokol Sadushaj;

 Zotit Ervin Pupe;

 Zotit Ilir Panda.

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, vlerësoi pa vonesë këto propozime, duke konsideruar se fillimi nga funksionimi i Gjykatës së Lartë, është një element kyç për respektimin e të drejtave kushtetuese të qytetarëve për një gjykim të drejtë, nga një gjykatë e caktuar me ligj dhe brenda një afati të arsyeshëm.


Shtuar 11.03.2020 14:16