Iu bë atentat, OFL i sekuestron makinën e blinduar biznesmenit Dashamir Gjoka

Pasi i kërkuan që të plotësonte formularin e deklarimit të pasurisë para dy ditëve, OFL i ka bllokuar automjetin biznesmenit Dashamir Gjoka.

Mësohet se automjeti i blinduar ndodhet tashmë në drejtorinë e Policisë së Durrësit.Gjoka nuk është i panjohur për drejtësinë. Ai rezulton i dënuar në Itali për veprën penale “Trafik i qenieve njerëzore”.

Pas një procesi të nisur në vitin 2015 atij i janë sekuestruar pasuritë që disponon dhe mësohet se i janë konfiskuar pasuri me vlerë 200 milionë lekë të reja të cilat më pas i janë kthyer me vendim të Gjykatës për Krime të Rënda në vitin 2017.

Kujtojmë se në vitin 2017 biznesmenit Gjoka i është bërë një atentat.

Një person qëlloi me armë zjarri në drejtim të mjetit të biznesmenit. Asokohe u raportua se në automjetin e blinduar udhëtonte Gjoka me gruan dhe fëmijët. Ai po udhëtonte në drejtim të Shijakut. Automjeti i blinduar i biznesmenit u qëllua nga një makinë e cila po ecte paralel me të.


Shtuar 7.02.2020 19:28