Flet nëna e nëntetares së vrarë në Letoni 1 vit më parë: Kur të kthehej do ndërronin nishanet

Dhimbja është ende e madhe në shtëpinë e dëshmores së Atdheut, nëntetares Zarife Hasanaj. Prindërit e kanë të vështirë të gjejnë fjalët e duhura pikërisht në ditën kur një vit më parë vajza e tyre humbi jetën tragjikisht në Letoninë e largët.

“Nuk mund ta përshkruaj as me fjale, as me zemër as me shpirt”, thotë nëna e nëntetares. Fëmija i katërt i familjes Hasanaj, e kishte pasion uniformën ushtarake. Ajo ishte në misionin e saj të parë jashtë vendit.

32 vjeçarja mezi ua kishte mbushur mendjen prindërve të shkonte. “Ne ruajmë shumë kujtime, se kjo ka qene shume e lidhur, me u vesh me ushtrinë. Ajo na thoshte mos ma prishi, këtë ëndërr dua ta realizoj”, tha nëna.

E ëma, Riva, kujton telefonatën e fundit me te bijën ndërsa e ka ende një peng në zemër.

“Më tha: “Mami mos u bej merak. Po shkoj në pune flasim me vonë. Kur shkoj tek varrezat shikoj e shikoj si hije e përqafoj. Meraku më i madh kur erdhi me arkivol nuk e përqafova vetëm buzën kam vënë pak ne ballë, se thonin; ‘mos e prishni’.”, tha nëna e saj. Kur të kthehej nga misioni 32-vjecarja do te vishej nuse.

“Kur të kthehej do ndërronin nishanet, pasi kishte rënë në dashuri me një djalë nga Tepelena”, tha nëna.

Në nëntor të 2019 prindërit e nëntetares u ftuan në bazën Adazi ne Rige ku pranë vendit të ngjarjes panë të shënjuar përjete emrat e Zarifes dhe majorit Klodian Tanushi.

E ëma e saj kërkon që t’ jepet një përgjigje se çfarë ndodhi vërtetë një vit më parë. Presin me padurim përfundimet qe do te dalin nga hetimi por edhe celularin e vajzës.

“Ishte pritje madhështore. Donim të dinim se çfare tha në fund, se kush e kapi. Kaq! Pse m’u zvarriten kaq fort gjerat personale të vajzës”, pohoi ajo.

Zarifesë i duheshin vetëm pak dite për e përmbyllur misionin dhe të kthehej në atdhe por një municion luftarak plasës i mori asaj jetën tragjikisht në Letoninë e largët./ BW


Shtuar 6.05.2020 16:20