Po kalonin kontrabandë cigare, kapen dhe sekuestrohen 80 mijë paketa

Një sasi e madhe paketash cigaresh janë sekuestruar në Pikën e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se strukturat e Administratës Doganore në Hanin e Hotit kanë sekuestruar një sasi prej 80 mijë paketa cigare në Pikën e kalimit Kufitar të Hanit të Hotit.

Sipas një njoftimi të bërë publik për mediat, pas një analize risku dhe dyshimeve të arsyeshme, mbi të dhënat e dokumentacionit shoqërues të një ngarkese, strukturat doganore ushtruan kontroll në mjetin e dyshuar, ku rezultoi një ngarkesë prej 80 mijë paketa cigare të markës “REGINA RED”.

E gjithë ngarkesa me cigare ishte e papajisur me pulle fiskale të Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër.

Rasti u referua në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për vepren penale, “Kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “ falsifikimi i vulave, stampave ose i formularve” të parashikuar nga neni 172 dhe 190/3 të Kodit Penal.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, po kryhen veprimet e mëtejshme hetimore. /albeu.com/


Shtuar 21.02.2020 16:40