Përfundon takimi VV-LDK, a u arrit marrëveshja?

Takimi mes liderit të LDK-së, Isa Mustafa dhe kreut të Vetëvendosjes Albin Kusti ka përfunduar pas dy orësh.

Dy krerët u mblodhën për të disatën herë kokë më kokë dhe dolën në heshtje nga takimi, pa dhënë asnjë detaj në lidhje me marrëveshjen e shumëpritur që do ët çojë në krijimin e qeverisë së re në Kosovë.

Ditën e sotme ishte Kurti ai që e paralajmëroi këtë takim duke u shprehur pozitiv për pritshmëritë.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë dështuar të arrijnë marrëveshje edhe më shumë se tre muaj prej se kanë përfunduar zgjedhjet. Ngërçi në krijimin e qeverisë ka nisur për ndarjen e posteve të larta shtetërore.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që në vitin e parë të qeverisjes të ketë Kryetarin e Kuvendit dhe Zëvendës Kryeministrin e parë, e në vitin e ardhshëm të lëshojë karrigen e kreut të Kuvendit e të marrë atë të Presidentit. Ndërkohë që kërkon të ketë dhe 5 ministri.


Shtuar 27.01.2020 18:23