COVID-19/ Kurimi me plazmë, së shpejti edhe në Shqipëri

Shumë vende të rajonit po ndjekin kurimin me plazmë për shërimin e personave që janë në gjendje të rëndë nga Covid-19. Shefi i laboratorit të mikrobiologjisë në QSUT, Andi Koraqi thotë se shumë shpejt ky kurim do të nisë edhe në Shqipëri.

“Shqipëria është e vonuar, në rajon nuk është se ka filluar në masë. Duhet matur ditri i antikorpeve neutralizuese në fakt. Janë ato antikorpe që luftojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë virusin, gjë që nuk është aq e kollajshme për ta bërë. Në plan është që edhe në Shqipëri të fillojë shumë shpejt. Strukturat pothuajse janë bërë gati”.

Por si kryhet kurimi me plazmë?

“Me antitrupa jo që i prodhon vetë, por që i ka prodhuar një organizëm tjetër, pra i merr të gatshëm. Niveli i antitrupave duhet të jetë i lartë”.

Por jo kushdo mund të dhurojë gjak për kurimin me plazmën. Në rast nevojë do të përzgjidhen vetëm ata persona që kanë krijuar imunitet dhe shumë antitrupa. Plazma është pjesë e gjakut e përbërë nga proteina, ujë, hormone dhe ushqyes.

Pjesa më e lëngshme e gjakut është e përbërë nga antitrupa të formuar tek pacientët pas shërimit nga virusi me efekt neutralizues./Tv Klan


Shtuar 31.07.2020 19:32