COVID-19 i mori jetën kavajasit të shëndetshëm, mjeku: Koronavirusi nuk njeh moshë!

Numri i jetëve të humbura nga koronavirusi në vendin tonë ka shkuar në 4, mes tyre edhe 43-vjeçari nga qyteti i Kavajës.

Ai ishte mbipeshë, por nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër ndaj vdekja e tij ka ardhur e papritur për popullin shqiptar.

I ftuar në emisionin “Real Story” mbrëmjen e sotme, mjeku Arjan Harxhi ka folur për rastin e 43-vjeçarit.

Sipas mjekut, Covid-19 nuk njeh moshë dhe ky ishte rasti që e vërtetoi këtë.

“I ndjeri humbi jetën në reanimacion. Dy ditë ka qenë në pavion pastaj kur filloi të shfaqte shenjat e rëndesës pacienti u transferua në kujdes intensiv për një terapi më intensive por për fat të keq nuk i rezistoi këtij vrulli të madh të kësaj sëmundje që i mori jetën.

Nuk kishte që ato tradicionalisht që i kemi përmendur por ishte pak mbipeshë. Ishte i shëndetshëm.

Ndodh ajo që ka ndodhur me mijëra raste të tjera që kjo sëmundje në individë të caktuar ka një ecuri të rëndë, fulminante, severe për arsye të ndryshme, qoftë me formën e sëmundjes, me reagimin e organizimit, me gjendjen e tij imunitare që çon në këtë lloj cedimi, në këtë lloj situate të rëndë. E kemi parë dhe në literaturë në raste të tjera.

Mesazhi i undit të OBSH është që kjo sëmundje nuk kursen jo veç për përhapjen e infeksionit por dhe nga rëndesa as moshat e reja. Duhet të jenë më të kujdesshëm.”- u shpreh mjeku. /tch/


Shtuar 23.03.2020 21:48