Brataj: Nuk është shaka! Nga 14 tani kemi 41 të sëmurë me COVID-19 tek Infektivi

“Njerëzit mendojnë se ishte një lojë, dhe mendoj se kanë dëmtuar aq shumë opinionin publik dhe popullatën por edhe personelin mjekësor…”

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha në studion e lajmeve të “Fax News” se ishte i pritshëm shtimi i rasteve me koronavirus, si pasojë e hapjes së vendit. Ai ka fajësuar edhe personelin shëndetësor, sa i takon neglizhencës në disa raste. Brataj kërkoi ndërgjegjësim në masë, ndërsa shprehu shqetësimin se edhe numri i të shtruarve është në rritje. Nga 14 të sëmurë në Infektiv, tani ka shkuar në 41.

“Njerëzit janë të lirë të lëvizin, por është më i pamundur kontrolli kur ndodh kjo. Nëse thonim pse të mos i lejojmë dhe secili të jetë përgjegjës për atë që bën, por po shikojmë se nuk po bëhet ashtu siç duhet.

Ka një fluks aq të madh informacionesh, ndoshta bëhet edhe e qëllimshme, përveç atyre që e kanë për detyrë të bëjnë informimin, futen njerëz të tillë.

Njerëzit mendojnë se ishte një lojë, dhe mendoj se kanë dëmtuar aq shumë opinionin publik dhe popullatën por edhe personelin mjekësor.

Kjo periudhë për botën dhe Shqipërinë u përqëndrua tek spitalet Covid, pothuajse u ndërpre çdo aktivitet tjetër. Spitalet e rretheve patën një punë shumë të reduktuar, dhe nuk kishin kontakt me pacientët.

Ky personel nuk ishte i prekur apo në linjën e parë, u kthye në aktivitet normal, që tregoi se masa më e rëndësishëm ishte distancimi fizik. Mendoj se ka pasur neglizhencë edhe nga stafet mjekësore. Shpresoj që njerëzit të ndërgjegjësohen, virusi është akoma dhe nuk ka ikur.

Përgjegjësia personale është edhe kolektive, se grumbullimet dhe manifestimet nuk bëhen rastësisht. Ndërgjegjësimi me fjalë duket i këndshëm, por kur vihet në praktikë duket i vështirë.

Hyra në Gjykatë dhe a ke maskë apo doreza, po i kam. Jo ti kemi me vete, por t’i përdorim. Çdo institucion nuk duhet të tolerojë, çdo subjekt apo biznes. Kthimi i masave mbrapa do të dëmtojë ty si biznes pas. Do shtohet numri i pacientëve për pasojë, edhe ata do kalonin vetë në kolaps. Mos harrojmë se kishim vetëm 14 të sëmurë në Infektiv, tani kanë mbërritur në 41”, tha Brataj.


Shtuar 9.06.2020 20:17