Arrestimi i Henri Çilit, bashkë me të u kap dhe avokati i njohur

Pas aksionit në Lazarat analisti Henri Çili është arrestuar për llogari të prokurorisë në Gjirokastër, pasi emri i tij del në përgjime për ndërhyrje te një gjyqtar, për lirimin nga burgu të dy të burgosurve të arrestuar në Lazarat.

Bëhet fjalë për dy vëllezërit Aliko, të cilët janë dënuar me burg për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha, ndodhur në Lazarat gjatë mësymjes së policisë në vitin 2015, që synonte dhënien fund të kultivimit të drogës në këtë fshat.

Paralelisht me arrestimin e Çilit, së bashku me avokatin Ilir Korbi në Tiranë, Policia ka ushtruar kontrolle të imtësishme në disa banesa në Lazarat, mes tyre dhe atë të babait të dy djemve që janë në burg, Adil Alikos.

Çili së bashku me avokatin e tij janë shoqëruar nën masa të rrepta sigurie në drejtim të komisariatit të policisë së Gjirokastrës.

Nga policia e Gjirokastrës bëjnë me dije se janë shoqëruar dy persona, Amarildo dhe Alfred Aliko, në banesat e të cilëve janë gjetur armë dhe fishekë.

Nuk ka një informacion zyrtar nga ana e Policisë lidhur me arrestimin e botuesit Çili, ndërsa dëshmitarë thanë se në ambientet e Universitetit privat që ai drejton mbrëmjen e djeshme janë kryer kontrolle të imtësishme.

Çili është arrestuar në banesën e tij, ku gjithashtu janë kryer kontrolle.


Shtuar 28.02.2020 08:51