OSHEE mbyll vitin me 64 milionë euro humbje

Të ardhurat e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike pësuan një rritje minimale prej 2% gjatë vitit 2019 ndërsa shpenzimet u rritën me 20%, duke sjellë një rezultat final prej mbi 7.7 miliardë lekë humbje ose afërsisht 64 milionë euro, bëri të ditur kompania në aplikimin e saj për çmimin e energjisë elektrike për vitin 2020 të dorëzuar në Entin Rregullator të Energjisë.

Sipas të dhënave të kompanisë, të ardhurat e pritshme të vitit 2019 janë 58 miliardë lekë ndërsa shpenzimet 65.6 miliardë lekë. Rritja e shpenzimeve i dedikohet në një masë të madhe rritjes së kostos së blerjes së energjisë elektrike për shkak të prodhimit të paktë nga hidrocentralet e Drinit, të cilat janë nën pronësi publike, por një pjesë aspak e vogël e shpenzimeve ishte operative.

Kështu, ndërsa shpenzimet për blerjen e energjisë u rritën me 29% ose 9.7 miliardë lekë, shpenzimet operative të OSHEE u rritën me 36% ose 4 miliardë lekë. Shpenzimet operative përfshijnë pagat e shpenzime të tjera të ngjashme për makina apo karburant ndërsa investimet janë shpenzim tjetër.

“Rezultati financiar i vitit 2019 pritet të jetë një humbje prej 7.7 miliardë Lekë duke shënuar rezultatin e pare negativ pas 4 viteve me performance te suksesshme. Rritja e kostos se blerjes se energjise elektrike per shkak td thatësirës është treguesi kryesor që ka ndikuar në humbjen e pritshme pavarësisht masave të marra për uljen e kostove operacionale të shoqërisë,” shkruhet në dokumentin e aplikimit, pa sqaruar se çfarë kostosh operacionale kompania është përpjekë të ulë. Sipas të dhënave të saj, shpenzimet operacionale ishin në masën 11.4 miliardë lekë më 2018 dhe u rritën në masën 15.4 miliardë lekë më 2019, me një diferencë prej 4 miliardë lekësh ose afro 33 milionë euro më shumë.

Sipas OSHEE, shkaku kryesor i rritjes së shpenzimeve operative janë kamatëvonesat që kompania tjetër shtetërore e energjisë, KESH, i ka faturuar për detyrime të para vitit 2015.

Si pasojë e rritjes së njëhershme të të dyja shpenzimeve, ato për energji elektrike dhe ato operative, kompania pritet të mbyllë vitin me rreth 64 milionë euro humbje ndërkohë që pati realizuar fitime prej afro 15 milionë eurosh në vitin 2018 dhe po kaq, në vitin 2017.

OSHEE mori një rritje çmimi dhe u përfshi në një projekt investimi me kredi nga Banka Botërore në vitin 2015, nën supozimin se reforma, e cila solli burgosjen e mijëra shqiptarëve, do të sillte reduktimin e humbjeve në masën 14% të energjisë së hedhur në rrjet brenda vitit 2019. Por ndërsa viti 2019 mbërriti, humbjet vijojnë të jenë në masën 22% sipas vlerësimeve të OSHEE.

OSHEE ka shënuar gjatë vitit 2019 edhe një rritje të ndjeshme të detyrimeve të paarkëtuara nga ndërmarrjet publike jobuxhetore duke sjellë një rritje të lehtë të borxheve totale që klientët i kanë kësaj kompanie. Sipas të dhënave të pjesshme të ERE, që reflektojnë situatën e gushtit 2019, borxhi total i klientëve ndaj OSHEE është 72.3 miliardë lekë ose 0.4 miliardë lekë më shumë se sa në dhjetor 2018. Shkaku kryesor i rritjes së borxhit është mospagesat nga sektori publik jobuxhetor, me një fjalë, ndërmarrjet shtetërore, kryesisht ujësjellësa. Në fillim të vitit 2014, buxheti i shtetit mori përsipër pjesën dërrmuese të borxheve të prapambetura të këtyre ndërmarrjeve ndaj OSHEE-së me supozimin se pas kësaj, këto kompani do të ishin në gjendje të paguanin faturat. Por katër vjet më pas, borxhet e këtyre ndërmarrjeve ndaj OSHEE-së kanë arritur në 10 miliardë lekë (80 milionë euro), ose dy herë më shumë nga sa ishin para krizës.

Si pasojë e këtyre vështirësive, OSHEE thotë se ka nevojë për një korrigjim në rritje të çmimit të energjisë me vlerë të përgjithshme prej 12 miliardë lekësh, e cila duhet të ndahet në katër vitet e ardhshme në masën 3 miliardë lekë në vit. /Burimi: BIRN


Shtuar 15.01.2020 21:21