35 vitesh efektivi jep dorëheqjen dhe do t’ju përlotë me fjalët e fundit

“Sa herë më është lagur kurrizi, sa herë më janë lagur këmbët, por shumë herë më është dashur që të rri në rrugë duke pritur për makinë për të shkuar në punë, në shi e në diellin e nxehtë të beharit…”

Një efektiv policie është larguar nga Policia e Shteti pas 35 viteve në detyrë dhe arsyeja për këtë vendim ka ardhur pas shumë sakrificash dhe lodhjeje në një punë që jo të gjithë e respektojnë.

Efektivi, Dëfrim Baku shkruan në rrjetin e tij social Facebook, se po largohet nga ky pozicion pune për tu rikthyer në qytetin e tij, Elbasanin për të kuruar plagët që ka marrë gjatë ushtrimit të profesionit prej 35 viteve.

Më tej efektivi tregon vuajtjet dhe sakrificat që ky profesion i solli duke pritur në rrugë në kushte ekstreme atmosferike për një makinë rasti për të shkuar në punë.

SHKRIMI I PLOTË:

Po largohem?

Mbas 35 viteve punë, në profesionin më të vështirë që mund të ketë për njeriun për herë të parë në jetën time po largohem nga familja. Nuk po shkoj në kurbet, as për ndonjë vizitë në ndonjë shtet fqinj apo të Europës pasi nuk i di rrugët për të shkuar dhe kam frikë se humbas! Po shkoj këtu afër, në qytetin tim të dashur Elbasanin, për të kuruar sado pak plagët e marra gjatë ushtrimit të profesionit tim. Ato plagë që më bëjnë të më dhëmbin të gjitha kockat e trupit.

Sa herë më është lagur kurrizi, sa herë më janë lagur këmbët, por shumë herë më është dashur që të rri në rrugë duke pritur për makinë për të shkuar në punë, në shi e në diellin e nxehtë të beharit. Në pesëmbëdhjetë vjet, dy vende më duket se kanë lënë shenjë në trupin tim, kryqëzimi i luleve në Elbasan dhe barakja e Nurit Ilustraxhiut të këpucëve në Rrogozhinë.

Në këto dy kryqëzime më është dashur të pres dhe me orë për të gjetur ndonjë makinë për të shkuar në punë dhe për tu kthyer në shtëpi Gëzoja kur vinte dita e pushimit se do ngopesha me gjumë dhe do luaja domino me babin.

Ky ishte argëtimi im për një javë mundim. Pasi lash Elbasanin, shkova me punë në Kavajë dhe me shtëpi në Tiranë dhe për gjashtë vite të tjera mu bënë si xhamia,kryqëzimi tek dogana në Tirane dhe karburanti i Llakajve në Kavaje ,në shi në diell në borë duke pritur makina për të shkuar në Kavajë dhe për të ardhur në Tiranë.

Skanë faj kockat e mia që më dhembin, 21 vite duke bërë nga 100 km rrugë vetëm për të shkuar dhe ardhur nga puna. Gjithë kjo sakrificë për një rrogë qesharake e cila mezi plotësonte nevojat minimale për të jetuar.

Pushimet i bëja në Vlorë tek njerëzit e bashkëshortes dhe në Rrogozhinë te vëllai Këto pushime ishin sa për t’u bërë qejfin fëmijëve. Do thoni ju: “Askush nuk të ka mbajtur me zor, pse po ankohesh?!”

E vërtetë, askush s’më ka mbajtur me zor, por pas kaq kohësh kuptova se fati i njeriut është i përcaktuar qysh në barkun e nënës , dhe unë tani po e kuptoj se ky postulat qënka i vërtetë.


Shtuar 7.10.2020 19:20