Pse artistët zgjedhin t’i publikojnë këngët të premteve

Siç mund ta keni lexuar, Eminem publikoi albumin e 11, “Music to Be Murdered By”, sot, e premte, 17 janar. Eminem, si pjesa dërrmuese e artistëve, jo më kot zgjodhi ditën e premte.

Përpara vitit 2015, këngët dhe albumet e rinj publikoheshin në ditë të ndryshme. Për shembull në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dita e preferuar ishte e marta, ndërkohë që shtete të tjera kishin ditë të tjera. Mirëpo kjo taktikë ndikoi negativisht pasi u rrit pirateria. “Kjo do të thotë se dikush mund ta blejë një këngë/album në kohën kur është i disponueshëm diku dhe ta ngarkojë atë në faqe pirate. Kështu fansat në shtetet e tjera, ku kënga/albumi nuk është lançuar ende, mund ta shkarkojnë falas,” shpjegon për Complex Shanna Jade, drejtoreshë në Stem Music.

Kështu industria e muzikës vendosi që përgjithësisht albumet/këngët të publikohen të premteve. Megjithatë, nuk është kjo arsyeja kryesore sepse në një mënyrë ose në një tjetër, pirateria vazhdon. Pra, a nuk do të ishte më e dobishme që artistët të publikojnë muzikë të re në ditë të ndryshme, pa qenë nevoja të përzgjedhin të premten, ku dukshëm konkurrenca është më e lartë? Vlen si argument, por ka disa arsye madhore pse ka kaq shumë muzikë të re të premteve.

Listat

Publikimi të premteve u jep më shumë mundësi artistëve për të kryesuar në klasifikime. Listat e Billboard bazohen nga suksesi i këngëve/albumeve nga e hëna në të enjten, ndërkohë që publikimi të premten rrit avantazhin e një X projekti në krahasim me dikë të publikuar, po themi, të martën.

Sigurisht që Billboard nuk ka sot prestigjin e dikurshëm, por sidoqoftë është një pikë e mirë referimi.

Shërbimet e transmetimit

Platforma si Spotify dhe Apple Music përditësojnë listat muzikore çdo të premte, gjë që inkurajon artistët që t’i publikojnë këngët/albumet në këtë ditë. “Nëse lançoni një projekt të premten, shfaqeni në New Music Friday ose në Hot Tracks dhe tërhiqni menjëherë vëmendjen,” shtoi Jade.

Tradita

Ndonëse për disa artistë listat e Billboard apo ato në Spotify mund të mos kenë rëndësi, sërish zgjedhin të premten për një arsye të vetme dhe të thjeshtë: Është bërë traditë.


Shtuar 17.01.2020 12:06